Politika “Tallje me drejtësinë”, Berisha dhe Bardhi “bashkohen” për Tahirin: U lirua pas...

“Tallje me drejtësinë”, Berisha dhe Bardhi “bashkohen” për Tahirin: U lirua pas ultimatumit që i dha Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Saimir Tahiri është liruar me urdhër të Edi Ramës. Për Berishën, Tahiri e ka kërcënuar Ramën se nëse do të dalë tani nga qelia, atëherë do të zbërthejë lidhjet e krimit që ka, sipas tij Olsi Rama dhe kryeministri me bandat nga Meksika gjer në Afrikën e Jugut.

“Saimir Tahiri u lirua me urdhër të Edi Ramës me ultimatumin që i çoi se është dita e durimit, përndryshe do zbërthej të gjitha lidhjet e Olsit dhe Edit me bandat që nga Meksika deri në Afrikë të Jugut.

Kështu që është një urdhër direkt i Edi Ramës. Saimir Tahiri ia dha këtë ultimatum botërisht. I keni parasysh deklaratat e tij. Më në fund ai arriti ta mposhtë Edi Ramën, i cili tani është i ngërthyer në aferën McGonigal. Po bën lobimin më të fuqishëm, por nuk do të shpëtojë dot me gjithë angazhimin e Soros dhe miqve të tij. Unë kam bindjen se drejtësia amerikane do i tregojë vendin këtij korruptori të McGonigal”, tha Berisha.

Si rrallëherë, në të njëjtën linjë me Berishën ishte edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka cilësuar lirimin para kohe të ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si një “tallje e drejtësisë me drejtësinë”. Me anë të një reagimi zyrtar, Bardhi thotë se u vërtetua se drejtësia është më dy standarde, ky favorizon zyrtarët dhe dënon maksimalisht qytetarët.

“Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të mbahet mend si ministri kampion i Edi Ramës që garantojë paprekshmërinë e grupeve kriminale, thellojë bashkëpunimin e shtetit me to dhe si kurrë më parë me leje shtetërore mbushi vendin me kanabis, duke favorizuar fuqizimin e krimit të organizuar.

Lirimi para kohe me kusht i tij është një tallje e drejtësisë me drejtësinë. Ndërsa qytetarët shqiptarë presin nga drejtësia e re ti jepet fund pandëshkueshmërisë, zyrtarët e lartë të korruptuar përfitojnë nga vendime gjyqësore thellësisht politike, që i shndërrojnë dënimet e tyre në qesharake.

Abuzuesit e pushtetit duhet të vuajnë të plotë dënimin e tyre, pa asnjë favorizim politik dhe duke u trajtuar të barabartë me çdo qytetar tjetër. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e konsideroj vendimin e sotëm politik të Gjykatës së Elbasanit një turp të drejtësisë dhe si një nxitje për thellimin e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, deklaroi Bardhi.

Pas 1 viti e gjysmë në qeli, ish ministri i Brendshëm, Samir Tahiri u lirua nga burgu. Ai do të kryejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.