Carlo Ancelotti do të drejtojë Brazilin duke nisur nga 2024. Lajmi tashmë është zyrtar, i konfirmuar nga presidenti i konfederatës braziliane të futbollit (CBF), Ednaldo Rodrigues, siç raporton CNN Brasil.
Trajneri i Real Madridit pas skadimit të kontratës me “Los Blancos” do të drejtojë Seleçao-n në Copa America.
Ancelotti aktualisht është trajner i Real Madridit dhe kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2024. Pas kësaj, ai do të marrë postin e trajnerit të Brazilit duke synuar trofeun e parë me Copa America, që do të luhet në verën e vitit 2024 në SHBA.
Deri atëherë, kombëtarja braziliane do të drejtohet në mënyrë të përkohshme nga Fernando Diniz.
Sa i përket Ancelotti-t, ish-trajneri i Milanit dhe Çelsit do të bëhet i huaji i parë që do të drejtojë Brazilin për gati 60 vjet. Trajneri i fundit i huaj i Brazilit ishte argjentinasi Filipo Nunez, i cili drejtoi ekipin kombëtar për një ndeshje në 1965.
Brazili u drejtua në Kupën e Botës të vitit të kaluar nga Tite, i cili u largua nga ky rol pas eliminimit të tyre në çerekfinale nga Kroacia. Që atëherë, skuadra është drejtuar nga Ramon Menezes.