Tani është zyrtare, FIFA dhe UEFA pezullojnë Rusinë nga Botërori dhe klubet nga kupat
FIFA vendosi të përjashtojë për një periudhë të pacaktuar Rusinë, pas luftës së nisur në Ukrainë. Ky vendim bën që përfaqësuesja ruse të mos marrë pjesë në fazën playoff të kualifikueseve të Botërorit 2022 në Katar.
Pikërisht sot Komiteti Olimpik Ndërkombëtare i kishte ftuar të gjithë të mos lejonin rusët dhe bjellorusët të luanin në kompeticionet ndërkombëtare.
Komunikata ka ardhur së bashku me UEFA-n që ka pezulluar klubet ruse nga kompeticionet ndërkombëtare.
Më 24 mars, rusët duhej të luanin gjysmëfinalen ndaj Polonisë dhe nëse fitonin do të përballeshin në finalen për një biletë në Kupën e Botës me fituesin e çiftit Suedi-Republika Çeke. Të tria këto ekipe refuzuan të luajnë me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës. Mbetet për t’u përcaktuar nëse Polonia do të kalojë direkt në finale, apo vendin e Rusisë do ta marrë Sllovakia, si ekipi me pozicionimin më të lartë nga të eliminuarat.
Sipas vendimit të FIFA, edhe klubet ruse nuk mund të luajnë në kupat e Europës të organizuara nga UEFA. Këta të fundit prishën edhe kontratën e sponsorizimit me kolosin e energjetikës, Gazprom. Emri i kompanisë ruse do të fshihet nga ndeshjet e Champions League.