Kryesore Taravari zbulon detajet e qeverisë së re: Do kemi dhe postin e...

Taravari zbulon detajet e qeverisë së re: Do kemi dhe postin e kryetarit të Kuvendit

Ish-kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN, Arben Taravari ka dhënë detaje nga negociatat që kanë nisur për kabinatin e ri qeveritar dhe postet e tjera që shqiptarët do të kenë me qeverinë e re.

Në një intervistë për mediat kosovare, Taravari zbuloi se shqiptarët do të udhëheqin gjashtë ministri dhe gjithashtu do të kenë dhe postin e kreut të Kuvendit, të cilin e kanë pasur edhe më herët.

“Besoj që njërën prej tre funksioneve kryesore të shtetit, respektivisht kryetari i parlamentit do të vazhdoj të jetë shqiptar dhe numër i konsiderueshëm i ministrave, posaçërisht aty ku kemi ekspert ne si parti të VLEN-it do t’i vendosim. Besoj se përfaqësimi aty do jetë i dinjitoz, me njerëz profesionist”, tha ai.

Taravari tha se konstituimi i Kuvendit do të bëhet në fund të këtij muaji, kurse Qeveria e re pritet të votohet në pjesën e parë të muajt qershor.

Partnerët e koalicionit, sipas Taravarit, janë pajtuar që prioritet i Qeverisë së re të jetë rruga drejt Bashkimit Evropian, lufta pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës.