Igli Tare flet pa dorashka për merkaton e Lazios, refuzimin e ofertës së Milanit dhe garën në Serinë A. Drejtori sportiv lacial është i bindur se skuadra kryeqytetase do të jetë mes skuadrave kryesuese sezonin që vjen.
Merkato: “Duhet të jemi të zotë me metodën tonë të punës, çdo vit është më i vështirë, mjafton të shohësh merkaton që kanë bërë skuadrat e mëdha. Ne do të ndërhyjmë për të rregulluar shumë pak gjëra në organikë. Kemi vepruar gjithnjë me logjikë dhe me një projekt teknik të përcaktuar qartë”.
Gara në Serinë A: “Nuk do të përjashtoj Milanin e Maldinit dhe Bobanit, ndërsa Roma i ka besuar një trajneri shumë interesant. Interi po kërkon të ngushtojë hendekun me Juventusin, sikurse po vepron dhe Napoli. Ne jemi në një grup të përbërë prej 5-6 skuadrash që mund ta bëjmë edhe më të fortë konkurrencën”.
Inzaghi: “Simone Inzaghi bën pjesën në historinë e Lazios, nuk ka qenë zbulimi im. Kam patur fatin të luaj me të dhe ta zgjedh si trajner së bashku me presidentin Lotito. Tek ai kemi parë diçka interesante dhe na tregoi se kishim bërë zgjedhjen e duhur”.
Refuzimi i ofertës së Milanit: “Nuk mendoj se refuzimi i ofertës së Milanit do të kushtëzojë karrierën time. Jam te Lazio pres 15 vjetësh dhe qëndrimi këtu ishte një zgjedhje zemre (dashurie). Kam qenë i nderuar që Maldini dhe Boban patën interes për mua, kemi qenë kundërshtarë në fushë por edhe më pas si drejtues. Kam folur me të dy dhe kam kuptuar që Milani është jeta e tyre. E pranuan refuzimin tim me shumë respekt, e dinin që për mua do të ishte shumë e vështirë ta hidhja atë hap”.