Ekonomi “Tarifat e ujit vetëm do të rriten”, kreu i ERRU: Nëpër ujësjellësa...

“Tarifat e ujit vetëm do të rriten”, kreu i ERRU: Nëpër ujësjellësa janë punësuar njerëz për qëllime elektorale

Tarifat për shërbimin e ujit në vend do të barazohen me bashkinë që i ka më të larta.

Kështu deklaroi kreu i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani, gjatë raportimit në komisionin e Veprimtarive Prodhuese.

Shani tha se ky është i vetmi unifikim që mund të bëhet për tarifat, pasi nuk mund të ketë ulje.

Duke folur për kostot e fryra të ujësjellësve, Shani përmendi dhe punësimin fiktiv në këto shoqëri, që sipas tij janë bërë për qëllime elektorale.

“Për efekte elektorale ka ndodhur rritja e punësimit, aty ka të punësuar njerëz që nuk figurojnë fare. Këto punësime përbëjnë 55% të kostove të UKT-ve. Në rastin e Fierit ishin 600 të punësuar dhe në një vit janë hequr 100. Parashikohet të hiqen dhe 80 të tjerë”, tha kreu i ERRU.

Ndër të tjera, në raportim, Shani tha se shoqëritë ujësjellës-kanalizime po përmirësojnë financat e tyre dhe po reduktojnë detyrimet disa vjeçare.

“Ujësjellësit morën 310 mln lekë subvencione nga buxheti i shtetit vitin që shkoi, duke shënuar ulje me 50 mln lekë në raport me një vit më parë. Pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për shoqëritë rajonale Durrës, Lezhë, Shkodër dhe kryesisht për detyrime energjetike”, tha Shani.

Sipas Shanit, vlera e investimeve gjatë vitit 2023 në sektorin e ujësjellës – kanalizime arriti në 84 mln euro, ndërsa shtoi se nevoja për financime në sektor është e madhe, sidomos në një kohë kur shoqëritë po tentojnë reformimin.