Të gjitha bizneset që sipas ligjit përfitojnë nga ligji i faljes duhet të dorëzojnë deklaratat e prapambetura deri më 30 qershor. Ky është afati që ka caktuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila njofton sipërmarrjet.
Sipas këtij njoftimi zyrtar, tashmë ligji i faljes ka hyrë në fazën e implementimit të tij dhe se tatimpaguesi duhet të dorëzojë elektronikisht deklaratat e çdo periudhe tatimore, pavarësisht vitit të cilit i përkasin deklaratat e pa dorëzuara apo llojit të tyre. Ligji parashikon heqjen e gjobave për mosdeklarim në afat, për deklaratat e pa dorëzuara të çdo periudhe tatimore.
Në datën 6 Maj 2017, ka hyrë në fuqi ligji “Për pagesën dhe fshirjen/shuarjen e detyrimeve tatimore, detyrimeve të pagueshme në doganë, si dhe procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit pas fshirjes/shuarjes së detyrimeve tatimore”.
Administrata tatimore bën me dije se përfitues nga ky ligj janë tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv dhe atë pasiv ,me përjashtim të atyre që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës.
Me paraqitjen e pagesave të detyrimeve të prapambetura, në mënyrë të menjëhershme, sipas kërkesës së tyre, tatimpaguesve do t’u jepet konfirmimi sipas të cilit ata nuk kanë më detyrime kundrejt administratës tatimore, thuhet në njoftimin e Tatimeve. Ndërkohë që për çdo paqartësi të gjithë tatimpaguesit, mund të drejtohen pranë zyrave të drejtorive rajonale tatimore ku janë regjistruar.