Sport Tatuazhi i Maradonës shpëton një gazetar të arrestuar në Ukrainë

Tatuazhi i Maradonës shpëton një gazetar të arrestuar në Ukrainë

Në dhimbjen që po krijon lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, ka ndodhur edhe një histori interesante që ka protagonist një gazetar kilian që u arrestua nga ushtria ukrainase dhe më pas u lirua falë një tatuazhi të Maradonës. Episodi kurioz përfshiu Daniel Matamala, korrespondent në Ukrainë për Chilevisión dhe kolegë të tjerë.

Në rrjetet sociale ai ka treguar gjithçka, duke ndarë mes historive të tij foton e vizatimit të Diego-s.

“Sot në një nga postblloqet policia na sekuestroi dokumentet, kamerat dhe telefonat dhe na shoqëroi në komisariat. Marrja në pyetje e parë ishte e tensionuar: është një vend në luftë dhe dyshohet për spiunë apo diversantë. Një nga policët pa pasaportat e kolegëve të mi dhe tha dy fjalë që i kuptuam: “Messi” dhe “Maradona”.

Këtu ndryshoi gjithçka. Kameramani ynë tregoi se kishte një tatuazh të Diego Maradonës në pulpën e tij. Atmosfera ka ndryshuar shumë dhe falë Dorës se Zotit dhe të futbollit arritëm të dilnim nga ajo situatë dhe të arrijmë në destinacionin tonë pa probleme”, ka shpjeguar Matamala.

Një incident ky që tregon se edhe në kohë lufte, futbolli është gjithmonë një mjet për të ndihmuar dhe e bëri këtë herë në sajë të një legjende të historisë, Diego Armando Maradona, i cili vazhdon të “shënojë gola” edhe pas vdekjes.