Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka zbuluar se ditën e shtunë mazhoranca do të dërgojë në Kuvend vetëm një kandidat për ta votuar në Parlament si presidentin e ri të vendit.
Duke folur në emisionin ‘Opinion’ Balla tha se emri i presidentit të ri mund të mësohet për publikun që pasditen e së premtes kur do të mblidhet kryesia e Partisë Socialiste.
“Presidenti i ardhshëm do të jetë tërësisht i kundërt nga ajo që ka qenë Ilir Meta. Të jesh tërësisht i kundërt nga Ilir Meta do të thotë të kesh respekt për Kushtetutën.
Do të thotë që të respektosh parimin e ndarjes së pushteteve, edhe pse presidenti nuk është një prej pushteteve. E kemi thënë që ne duam një president që të respektojë parimet kushtetuese dhe të qëndrojë mbi palët” – tha Balla.
“Ne e kemi thënë që në ditën e parë, që nuk duam një politikan aktiv, nuk do të donim të kishim një anëtar të Kuvendit. Kjo ka qenë një prej tezave që donim të uleshim në negociata me opozitën. Ditën e shtunë presidenti do të zgjidhet vetëm me votat e mazhorancës.
Do të ketë vetëm një kandidaturë. Besoj se kandidatura që do të shkojë PS-ja ditën e shtunë që mendoj se edhe deputetët e opozitës kanë arsye për ta votuar. Do të merret vesh nesër pasdite ndoshta. Duhet të kalojmë edhe tek vendimmarrja e grupit parlamentar të PS-së. Procesi i regjistrimit përmbyllet ditën e shtunë ora 12:00” – tha Balla.
Një ndër emrat e mundshëm që është përfolur se mund të jetë kandidat për President është edhe emri i Gramoz Ruçit. Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka përjashtuar mundësinë që Gramoz Ruçi të jetë kandidat për President.
“Kini parasysh diçka që Gramoz Ruçi në 12 qershor e ka dhënë përgjigjen e vetë të qartë për këtë çështje”, tha Taulant Balla në emisionin “Opinion”.
Ndërsa i pyetur nëse opozita bojkoton votimin, a do të jetë procesi i cënuar, Balla u shpreh se Partia Demokratike është me e ndëshkuara nga bojkotet.
Ai i bëri thirrje të gjitha palëve politike që të marrin pjesë në votim, edhe sikur të votojnë kundër.
“Partitë politike kanë reflektuar nga bojkoti dhe askush nuk përfiton. Ata që janë ndëshkuar nga bojkoti është PD. Apeli im është pjesëmarrja dhe shprehja me votë. Le të vijnë të votojnë edhe kundër”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PS.