Aktualitet “Të bëhen ndryshime në Kodin Penal për pragun 500 €”, Dumani: Të...

“Të bëhen ndryshime në Kodin Penal për pragun 500 €”, Dumani: Të ruhet pavarësia e SPAK, është “çelësi” i suksesit tonë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka thënë se tanimë SPAK është funksional, por pavarësisht kësaj, ka ende disa sfida me të cilat ky institucion po përballet. Sfida që i ka listuar gjatë fjalës së tij në Komisionin e Monitorimit të AP-së së Këshillit të Europës.

Dumani kërkoi që të ruhet pavarësia e institucionit që ai drejton, për të vijuar punën e mirë që sipas tij po bëhet në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Altin Dumani: Sot kemi një SPAK funksional, në përbërje janë 20 prokurorë, kemi investuar dhe me mjete dhe teknologji bashkëkohore. Një shtyllë e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Por para nesh ka shumë sfida. Në mënyrë të përsëritur, SPAK ka paraqitur disa shqetësime. Sfida e parë, ruajtja e pavarësisë institucionale të SPAK. Aktualisht kemi një kornizë ligjore që siguron këtë dhe besoj se kjo pavarësi është një ndër shkaqet që SPAK ka filluar të jetë i suksesshëm në ndjekjen e veprave penale.

Një tjetër shqetësim, mungesa e përcaktimit të qartë ligjor lidhur me statusin e prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. Të rishikohet dhënia e mundësisë së prokurorit të posaçëm që të rikandidojë për të vazhduar të jenë pjesë e SPAK.

Duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal lidhur me pragun monetar prej 500 Euro me qëllim rritjen e këtij pragu. Çdo akt korruptiv mbi këtë marzh bën kompotentë SPAK-un. Është koha që ky marzh të rritet dhe SPAK të fokusohet tek çështjet e ndjeshme dhe që janë më të vështira për t’u hetuar. Një sfidë është administrimi me sukses i rolit të ri të komisionerit publik. Kemi filluar fazën e eksperimentimit dhe shumë shpejt në muajt e parë të 2025-ës do të bëhet funksional sistemi i administrimit të çështjeve, që do të përmirësojë dhe paraqitjen tonë sa i takon dhe statistikave të ndryshme.

SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunimin e institucioneve të tjera që të jemi të suksesshëm. Një problematikë tjetër që ne shohim është edhe mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë. Beteja kundër korrupsionit, një përpjekje e përbashkët.

Drejtuesi i SPAK tregoi para anëtarëve të Asamblesë së Këshillit të Europës edhe për lidhjet mes zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar. “Pothuajse në të gjithë hetimet tona ku në fokus ka qenë krimi i organizuar, kemi gjetur lidhje të këtij të fundit edhe me zyrtarë të niveleve të ndryshme, të cilët janë korruptuar apo janë bërë pjesë e grupeve të krimit të organizuar”, u shpreh ai.