Nga Fundim Gjepali
E ndava mendjen këtë vit dhe vendosa që pushimet t’i kaloja në jug të Shqipërisë. Koka më ishte mbushur me një mal me paragjykime pasi kisha shumë miq që më thonin: “Ç’të duhet në jug, aty shpenzon shumë dhe shërbimin nuk e merr siç duhet, madje trajtimi që të bëhet është qesharak”.
Megjithatë ditët e para të gushtit me gjetën në bregun e kthjellët të Jonit. Çfarë mrekullie ai det!Isha i ndërgjegjshëm që pjesa dërrmuese e njerëzve që kritikonin, nuk e kishin me natyrën se nuk kanë çfarë të thonë për të, por e kishin hallin te lekët..aty çalon gjithçka!Nuk kishte se si të mos bëja një analizë të asaj çka pashë e provova gjatë ditëve që kalova në jug.Që në fillim dua të theksoj se Riviera jonë është fantastike dhe pavarësisht cic-miceve, ia vlen të kalohen pushimet në ato anë, por sigurisht duhet të zgjedhësh vendin.
Unë personalisht u kënaqa! Sepse para se shkoja isha i sigurt për çfarë mund të na sjellin Hotelierët shqiptarë.
I di mirë vështirësitë që kalojnë me burimet njerëzore. Mungesa e stafit të kualifikuar të bën të përballësh një pjesë dërrmuese kamerierësh, ku si zanat nuk kanë shërbimin por hajdutllëkun; madje aty ndeshesh me kuzhinierë jo profesionist dhe që nuk ngurojnë ta shesin veten si super shefa! Ku në kuzhina të mirëfillta maksimumi që mund të bënin ishte larja e perimeve dhe pastrimi peshkut.
Kishim një djalë në “Padam”, lante sallatën, por as atë nuk e bënte mirë dhe duhet ta mbanim nën kontroll vazhdimisht, kur befas në jug ishte bërë… shef kuzhine! Ndodh edhe kështu!Një pjesë të mirë të investitorëve që kanë investuar në breg i njoh personalisht dhe ia di mirë kalvarin e sakrificave që kanë bërë për të hapur ato hotele.
Personalisht i admiroj për kurajën dhe vizionin. Jam i sigurt që në të ardhmen do i marrin frytet e guximit të sotëm.
Një pjesë e këtyre biznesmenëve e kanë marrë turizmin seriozisht, ndërsa shumë të tjerë që nuk e kanë kuptuar ende se çfarë kanë në duar po u rrëshqet situata.
Kjo që po ndodh është mëse normale, pasi është periudha e ndarjes së niveleve.
Kush ka menduar që të punojë në një nivel të mesëm ose të lartë është më se e kuptueshme që ai vend nuk mund të jetë për të gjithë.
Kam dëgjuar shumë nga ata që thonë se çmimet në jug janë të shtrenjta.
Unë nuk mendoj kështu, madje them se është qesharake të kërkosh shërbim e cilësi me çmime aq të ulëta.
Duhet patur parasysh që çdo kosto është dopio në krahasim me Tiranën.
Personalisht jam kundër thirrjes se Shqipëria është vend i lirë (cheap). Shqipëria duhet të kthehet në një vend atraktiv si nga produkti cilësor i turizmit, shërbimet, kulinaria, mbrojtja e trashëgimisë dhe natyrës me një çmim relativisht kompetitiv, por kurrsesi të lirë në krahasim me të tjerët. Në këtë mënyrë mund të mbrojë produktin e saj duke i rritur cilësinë.
Unë kam patur fatin që në fillimet e karrierës sime të punoja dhe në vende bregdetare në Itali. Rimini i viteve ’90 ishte shumë e frekuentuar dhe çmimet nuk ishin të ulëta. Madje njerëzit në atë kohë atje kishin të njëjtat kritika që kanë shqiptarët sot për jugun tonë.
Besoj që ndarja e niveleve po vjen…dhe po lindin e po rriten struktura fantastike që të japin shërbime cilësore por jo për xhepat e të gjithave. Jo të gjithë mund të shkojnë në jug. Nëse nuk ia u mban xhepi, zgjidhni një breg tjetër. Shqipëria të ofron shumë mundësi. Por mos ia kërkoni jugut një pjatë spagheti 4 mijë lekë të vjetra apo një peshk 5 mijë lekë…mos!Ka nga ata që sugjerojnë si alternativë më të mirë Turqinë, Greqinë për pushime. Patjetër, tregu është i lirë dhe çdo kush me lekët e veta mund të bëj ç’të dojë. Unë personalisht do të kthehem në jug dhe ndoshta me një… “Padam” verorë!
PS: E di që shumë prej jush do më kritikojnë dhe do më sjellin me dhjetëra shembuj abuzues. Po abuzime ka, dhe për këtë jam i vetëdijshëm, por zgjidhni vendin e duhur dhe shijoni atë kaltërsi deti që rrallë e gjeni në botë!