Dy gjimnazistë të dashuruar, të cilët ishin ndarë gati shtatë dekada më parë u bashkuan gjatë pandemisë së koronavirusit dhe tani janë të martuar.
Historia e tyre e dashurisë filloi 68 vjet më parë, kur Fred Paul dhe Florence Harvey njohën për herë të parë njëri-tjetrin. Ata ishin dy adoleshentë në Wandsworth, një qytet i vogël në Newfoundland në Kanada. Për muaj me radhë ata kaluan çdo moment që mundën së bashku, duke bërë shëtitje, duke shkëmbyer puthje dhe duke marrë pjesë në koncerte.
“Ajo ishte dashuria ime e parë. E dashura ime e parë dhe dashuria ime e parë e vërtetë”, tha Paul, tani 84 vjeç, për CNN.
Megjithatë, kur Paul mbushi 18 vjeç, dhe Harvey ishte vetëm 15, të dy vazhduan rrugët e tyre të jetës. Paul u transferua në Toronto për punë, ndërsa kur u kthye një vit më vonë, Harvey ishte zhvendosur në një qytet tjetër.
Përfundimisht, ata të dy u martuan me njerëz të tjerë dhe krijuan familje. Në vitin 2017, Harvey humbi të shoqin nga kanceri. Ata kishin kaluar bashkë 57 vite të lumtura dhe kishin 5 fëmijë. Vetëm dy vjet më vonë, edhe gruaja e Paulit, vdiq pasi vuante nga probleme të shumta shëndetësore. Ata kishin dy fëmijë së bashku.
Kur Harvey dëgjoi se gruaja e Paulit ndërroi jetë, e telefonoi për t’i dhënë mbështetje dhe për ta siguruar që gjërat do të përmirësoheshin. Gjatë asaj bisede të parë, e cila ndodhi një ditë pas Shën Valentinit, të moshuarit diskutuan për jetën, fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre dhe u rikthyen shumë vite pas në kohë.
Disa muaj më vonë, në ditëlindjen e tij në korrik, Harvey e befasoi Paulin duke ardhur në Toronto ku ata u ribashkuan më në fund. Vetëm tri ditë pas ribashkimit, çifti ishin gati të martoheshin. Më 8 gusht, Paul dhe Harvey shkëmbyen zotimet para familjes dhe miqve të ngushtë në Norval United Church në Georgetown, Ontario.
Sapo pandemia të përfundojë, Harvey tha se gjëja e parë që do të bëjnë, është të vizitojnë qytetin e fëmijërisë ku ata u takuan dhe u dashuruan, vite më parë.