Katër persona janë arrestuar në Vlorë këtë të martë pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Policia bën me dije se dy prej tyre ishin të dehur në timon, njëri pa patentë ndërsa tjetri kundërshtoi me dhunë efektivët pasi po shoqërohej në komisariat për një konflikt me familjarët e tij.
Veç katër të arrestuarve, një tjetër person është shpallur në kërkim pasi ka shkaktuar një aksident dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe për kundërshtim me dhunë, të punonjësve të Policisë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. H., 50 vjeç, banues në Mamurras, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-M. L., 31 vjeç, banues në Itali, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-K. P., 21 vjeç, banues në fshatin Nartë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, i papajisur me leje drejtimi.
Po këta specialistë shpallën në kërkim shtetasin R. B., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi është larguar nga vendi i aksidentit, në aksin rrugor “Vlorë-Kuç”, ku ky shtetas ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga dhe ka shkaktuar dëme materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan shtetasin K. H., 43 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit në ambientet e Komisariatit, për sqarimin e rrethanave të një konflikti ndërmjet këtij shtetasi dhe familjarëve të tij. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.