Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Ali Lorja, banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
Roland Domi, banues në Durrës, nën hetim nga autoritetet italiane të drejtësisë, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”;
Artur Vaqo, banues në Durrës, i dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”;
Ardjan Tati, banues në Durrës, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, thuhet në njoftimin e OFL.