Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesën për të deklaruar pasurinë katër personave, të cilët janë të dënuar për vrasje dhe drogë.
Ata janë Uran Rahman Skuka nga Dibra, i dënuar për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”.
I dyti është Artan alias Dritan Buci nga Dibra, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, me 13 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
Elton Sefer Daçi, banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit Tiranë, me 5 vjet burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe Skënder Topalli banues në Dibër, i dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me 25 vjet burg për veprën penale “Vrasja me paramendim.
“Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”, thuhet në njoftimin e OFL.