Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se, popullsia e Shqipërisë është pakësuar me 6267 persona, rrjedhojë e migracionit neto, por edhe rritjes më të ulët natyrore, që pavarësisht gjithçkaje vijon të mbetet në territor pozitiv.
Qarqet e ndryshme të vendit regjistrojnë një dinamikë të ndryshme nga 1 janari 2017 në 1 janarin e 2018-ës.
Vetëm Vlora, Durrësi dhe Tirana regjistrojnë një rritje të popullsisë, ndërkohë që të 9 qarqet e tjera janë duke u tkurrur, thotë INSTAT.
Madje, për disa prej tyre tkurrja po kthehet në një fenomen të frikshëm.
Në harkun e një viti, popullsia e Gjirokastrës ka rënë me plot 4.7%, duke e vendosur në vend të parë sa i përket qyteteve që po zbrazen me ritmet më të shpejta.
Në rast se, ky trend do të vazhdojë i njëjtë, atëherë në harkun e vetëm dy dekadave Gjirokastra do të shuhej.
Qarku jugor i vendit regjistron një performancë të tillë duke qenë se është në vend të parë sa i përket qarqeve me numrin më të ulët të lindjeve, por edhe për fakt se ka një emigracion të lartë.
Në vend të dytë sa i përket qarqeve më problematike është Dibra, ku popullsia ka rënë me 3.8% në harkun e 365 ditëve.
Dibrës, do t’i duheshin 30 vite për t’u zbrazur tërësisht në rast se trendi do të jetë i njëjtë edhe përgjatë viteve të vijim.
Më pas ndjekin Berati, Kukësi, Korca, Elbasani, Lezha, Fieri dhe Shkodra.
Qarqet e vendit po zbrazen edhe për shkak se Tirana vijon të thellojë diferencën sa i përket mirëqenies, raporton televizioni Scan.