Në ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se shoqëria shqiptare vazhdon të mos gëzojë lirinë e fjalës.
Në një postim në “Facebook”, Basha shprehet se censura e qeverisë mbi median është një tjetër problem, duke akuzuar mes të tjerash kryeministrin Rama se i ka asgjësuar këto të drejta me shitblerjen e votës dhe shantazhe.
“Sot, në 10 dhjetor 2017, ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duhej të debatonim si shoqëri për të drejtat e grave, të fëmijëve, për të drejtat e të rinjve, për përmirësimin e kushteve, ku secili të ushtronte dhe të gëzonte të drejtat që i takojnë.
Por fatkeqësisht, 27 vite pas ardhjes së demokracisë, ne shqiptarët ende nuk zgjedhim dot të lirë, nuk gëzojmë dot lirinë e plotë të fjalës nga censura e qeverisë mbi median, nuk përfitojmë dot nga liria e vërtetë e tregut prej monopoleve të pushtetit. Edi Rama i ka asgjësuar këto të drejta me shitblerjen e votës, me shantazhe dhe me kërcënime.
Qeveria e tij e shkel përditë dinjitetin e qytetarëve me makutërinë e tenderëve të koncesioneve, me shpërdorimin që ju bën fondeve publike, me arrogancën ndaj njerëzve.
Kjo qeveri njeh vetëm privilegjet e saj, dhe shkel me këmbë të drejtat e liritë e njerëzve të thjeshtë”.
Sipas Bashës, ”bashkimi i të gjithë shqiptarëve është garancia e fitores në betejën për liri dhe të drejtat njerëzore”.