Vrasja e nënkomisarit të policisë, Saimir Hoxha, ka tronditur mbarë opinionin publik, e sigurisht edhe vetë qytetarët e Lezhës. Një prej tyre, në një prononcim për Klan News tregon se e ka njohur oficerin 44-vjeçar nëpërmjet një miku e thotë se i ndjeri gëzonte vlerësim në komunitet.
“Të gjithë e lëvdonin… sido që të jetë ai ishte në krye të detyrës. Sido të jetë nuk ka pasur ndonjë hall të madh ai, kontroll rutinë ishte. Është një ngjarje… 44 vjeç të futesh në dhe domethënë, për një diçka që nuk ishte as përplasje fizike ose me armë… Edhe ia vëmë fajin vetëm policisë gjithmonë. Çfarë? Policia do na vejë nga një polic çdo njeriu?”
Ndonëse autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, 21-vjeçari Aldi Rama, ka jetuar në lagjen e tij, qytetari thotë se nuk e ka njohur. Ai shton ndër të tjera se konsumi i kanabisit nga të rinjtë është kthyer në diçka normale.
“Të shikosh tamam-tamam në këtë moshë 21 vjeç me armë, edhe policët çfarë mund të bënin. Ajo mund të ketë ndodhur për një sekondë. A t’i bini pas nënkomisarit apo atij, ata kishin hall me shpëtuar kolegun e tyre. Është një ngjarje që ndodh shpesh në Shqipëri, e kjo është qysh me depot e armëve… Edhe të rinjtë pa punë… janë të gjithë që thonë për kanabis, po në çdo vend i ke të rinjtë, plot-plot, vjen era tym po të kalosh në shëtitoren në darkë, vjen era tym. Gjithë mosha e tyre duke pirë hashash, sepse është sheshit”.