Pas disa sezonesh tejet të suksesshëm, Florentino Perez duket se është bindur përfundimisht se cikli i lojtarëve aktualë të Realit të Madridit ka përfunduar dhe po përgatit një revolucion të vërtetë.
Kështu sipas mediave pranë klubit madrilen, në shitje kanë përfunduar të gjithë, pasi bosi i “Los Blancos” ka theksuar se çdo lojtar ka një çmim dhe është gati të negociojë ofertat që vijnë në drejtim të tyre.
Benzema, Asensio, Isco, Modriç dhe Bale janë në krye të listës së spastrimit, por nuk përjashtohet edhe mundësia e largimit të Sergio Ramosit dhe Marcelos, veçanërisht nëse në stol do të ulet Mourinho, i cili nuk dëshiron të ketë të bëjë me këta të dy.
Synimi i Perez është që të grumbullojë sa më shumë para me largimin e disa emrave të rëndësishëm në klubin e tij, për të nisur më pas ofensivën, ku do të synohet afrimi i disa futbollistëve me peshë në arenën botërore.
Kështu në krye të listës së dëshirave janë Hazard dhe njëri mes Mbappe e Neymar, pasi të dy duket e pamundur që të “rrëmbehen” nga Parisi, ndërsa sa i përket majës së sulmit, opsionet janë Harry Kane dhe Mauro Icardi.
Edhe në mesfushë janë disa emra që qarkullojnë në listat e drejtuesve të Realit të Madridit, ndërsa më i fundit është ai i Adrien Rabiot, i cili ka mbyllur marrëdhënien me PSG-në dhe pret verën kur mund të largohet si lojtar i lirë.
Sa i përket mbrojtjes, pritet një ofertë për të rrëmbyer austriakun David Alaba nga Bayerni i Mynihut, por me mjaft interes ndiqet edhe 21-vjeçari i Portos Eder Militao, për të cilin portugezët kërkojnë rreth 50 milionë euro.
Megjithatë vlen të theksohet se Perez është i bindur të bëjë revolucion në organikë, ndaj përtej emrave të përveçëm, premtohet të ketë lëvizje të shumta në merkato, që do të shkaktojnë një efekt domino në shumë klube të mëdha europiane.