Kryesore Të gjithë prisnin CR7, por Conceicao jr. shpëton Portugalinë që fiton me...

Të gjithë prisnin CR7, por Conceicao jr. shpëton Portugalinë që fiton me përmbysje ndaj Çekisë

Rruga duhet hapur për të riun që përparon. Kështu tregoi ndeshja e Portugalisë me Çekinë. Dritat e para të ndeshjes ndjekin të gjithë Cristiano Ronaldon, i cili ka arritur në kampionatin e tij të gjashtë evropian, askush si ai. Megjithatë, dritat e fundit janë për Francisco Conceiçao, tetëmbëdhjetë vjet më i ri se CR7, i cili nënshkroi fitoren portugeze nën shiun e pandërprerë në Leipzig. Këtë herë nuk është Sergio, por Francisco –  djali i ish-anësorit portugez që hyn, shënon dhe i dhuron tre pikët trajnerit Roberto Martinez.

Në pjesën e parë, Portugalia diktoi ritmin dhe kundërshtarin në çdo aspekt, por goli rezultoi mision i pamundur, ndërkohë që momenti më i mirë ishte i Cristiano Ronaldos në minutën e 33-të, por sulmuesi i Al-Nassr nuk ia doli të gjente rrjetën.

39-vjeçari ndezi pjesën e dytë me një goditje dënimi në minutën e 58-të, por Stanek kontrolloi gjithçka, teksa në minutën e 62-të çekët surprizuan. Provod realizoi një prej golave më të bukur të raundit të parë, me 27-vjeçarin që tronditi portugezët me një goditje nga distance, duke përkthyer në gol pasimin e Coufal dhe duke mposhtur portierin Costa.

Por, avantazhi dhe festa e Çekisë zgjati pak, pasi në minutën e 69-të Stanek gaboi në dalje dhe Hranac dërgoi topin ne portën e tij me protagonizmin e Nuno Mendes.

Një gol dhe moment që vendosi në lëvizje portugezët, me skuadrën e Martinez që rrezikojë vazhdimisht portën e Stanek, teksa dhjetë minuta nga fundi Soucek i shkoi pranë golit dhe kërcënoi portën e Costa-s.

Portugalia gjeti golin e avantazhit në minutën e 87-të, kur Diogo Jota përfitoi nga kaosi dhe shkundi rrjetën e çekëve, por në fund goli i sulmuesit u anulua, pasi Ronaldo ishte më parë në pozicion të parregullt.

Gjithsesi, goli i fitores vonoi, por nuk mungoi dhe heroin e bëri Francisco Conceicao, me 21-vjeçarin që në prekjen e parë gjeti rrjetën dhe i dhuroi fitoren portugezëve në limite, në një ndeshje shumë të vështirë.

Tashmë, Portugalia pozicionohet në vendin e dytë me tre pikë, po aq sa Turqia, teksa Çekia pozicionohet në vendin e tretë, pa pikë ashtu si Gjeorgjia.