Opinione Të gjymtosh përjetë fëmijët e tu; po këtë s’e bën as kafsha

Të gjymtosh përjetë fëmijët e tu; po këtë s’e bën as kafsha

LIRIDONA DHE NAIM MURSELI

Nga Çapajev Gjokutaj

Vrau gruan. Nuk është i pari, qoftë i fundit! Gjithsesi një gjë  ngjan  e sigurt: bën pjesë në skotën e burrave primitivë që e shohin gruan si mall, si pronë që u përket atyre dhe vetëm atyre dhe, si me çdo pronë vetjake mund të bëjnë ç’të duan.

Nuk e vrau vet, parapagoi një bashkëfshatar. Jo vetëm kaq, planifikoi edhe një skenë triller që askush të mos dyshonte për të. Vrasësi i parapaguar, me çorap në kokë i ndërpret rrugën makinës, kërkon të marrë rreth 3 mijë euro që ndodhen në çantën e gruas, pasi kjo kundërshton shtin mbi të, rrëmben çantën dhe zhduket.

Po bashkëshorti i pranishëm ç’bëri? Sehir bëri. Pozicion  zhburrërues për një burrë, çfarëdo qoftë ky, kurse për një burrë malciet pozicion përtej poshtërueses. Në fakt, bashkëshorti s’qe malësor safi, vite me radhë kishte studiuar e punuar në Suedi. Thua të na e ketë fajin suedezi, dmth t’i ketë shtirë rakisë ujë…

Vrasja e gruanënës u bë në prani të fëmijëve. Përfytyroni dy vogëlushë, në hapësirën e një makine shohin ikjen makabër të mamasë. Në fakt, plumbat nuk goditën vetëm të ndjerën, por plagosën rëndë edhe fëmijët. Janë plagë që nuk do shërohen dhe gjithë jetën do gjenerojnë dhimbje e  deformime në botën e tyre psikologjike, mendore e shpirtërore.

Babai e kishte planifikuar praninë e fëmijëve në këtë llahtar për ta bërë më të besueshme vrasjen nga një i tretë. Me një fjalë për të shpëtuar veten.

Më falni po ky mund të jetë burrë, primitiv a modern, azgan malciet a surrogato qytetërimi modern, por vështirë të jetë njeri. Se edhe kafsha që është kafshë, vë veten në rrezik për të ruajtur të vegjlit e vet. Ky plagos rëndë dhe përjetë fëmijët, vetëm e vetëm që të hakmerret, të kënaqë egon dhe të shpëtojë kokën.

Kur gjykon raste të tilla nuk të hyn në punë as kundërvenia njeri – kafshë. Me sa duket këto nuk janë anomali të rrafshit social, kanë rrënjë më të thella e më atavike, rrënjë që në realitetin tonë gjejnë hapësirë të gjethojnë.

(Nga cikli ‘Labirinthet e marrëzisë’)