Të hapësh një biznes privat në Shqipëri, duket se është një sipërmarrje për të cilën fillimisht të duhet të “trokasësh” një herë tek bankat. Dhe kjo pasi për ndërmarrjen e saj të nevojitet patjetër një ndihmë financiare, të cilën mund ta gjesh pranë tyre në formën e një huadhënieje. E siç referojnë të dhënat më të fundit zyrtare në Shqipëri, ka një shtim të kësaj të fundit pikërisht për zërin e “çeljes së një biznesi”. Konkretisht, Banka e Shqipërisë pohon se gjatë këtij viti ka një shtim të dukshëm të kredive të akorduara nga sistemi bankar në tërësi, si në monedhën vendase, lek, ashtu edhe në valutë, euro apo dollar, për një qëllim të tillë. Në shifrat respektive, rezulton se sidomos në rritje ka rezultuar ky tregues gjatë muajit zgjedhor, qershor 2017, kur bankat e nivelit të dytë në vend u treguan më “dorëlëshuara” se kurrë në dhënien e një kredie kundrejt individëve të interesuar për hapjen e një aktiviteti privat. E sidomos kjo dukuri u vu re për monedhën evropiane, euro, ku huadhënia e saj për këtë qëllim në këtë muaj arriti në nivelin maksimal prej 1.104 milionë eurosh. Ndërkaq, për të njëjtën periudhë, ky tregues arriti në 28.316 milionë lekë për kreditë e dhëna në monedhën vendase. Duke folur kështu për një ndjeshmëri të shtuar të bankave për të ndihmuar nismat e hapjes së bizneseve të reja në vend, në momentin e një optimizmi të shtuar, siç ishte pikërisht ai i fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017, pas një krize të zgjatur disamujore politike në vend. Gjë që mund të thuhet në fakt edhe për zëra të tjera të huadhënies, siç është edhe ai i realizimit të investimeve të ndryshme, në bizneset ekzistuese, që gjatë muajit zgjedhor, qershor 2017, ka shënuar gjithashtu një rritje të dukshme, duke arritur përkatësisht deri në nivelin prej 175 milionë eurosh në total.
Rriten “overdraftet”, zgjidhja më e shpejtë për klientët e bankave
Marrja e një overdrafti duket se për shumë qytetarë është kthyer në zgjidhjen më të shpejtë ndaj një problemi emergjent financiar të caktuar. Këtë e tregojnë edhe të dhënat më të fundit të referuara nga sistemi bankar në tërësi, sipas të cilave rezulton se huadhënia e tyre në formën e të ashtuquajturit “overdraft” ka pësuar një rritje të dukshme gjatë muajve të këtij viti. Konkretisht, sipas tyre, rezulton se në fund të muajit qershor të këtij viti, shuma totale e overdrafteve të marra nga qytetarët pranë bankave ka arritur deri në 39.1 miliardë lekë, kundrejt vetëm 38.3 të tilla në muajin pararendës, maj 2017 apo 35.1 miliardë lekë në prill 2017. Gjithashtu, shifra progresive të këtij treguesi janë referuar nga Banka e Shqipërisë edhe për huadhënien në monedhën evropiane, si edhe atë amerikane.
Rritja e investimeve, vijoi dhe gjysmën e parë të vitit
Investimet e kanë vijuar rritjen e tyre, mbështetur kjo në ecurinë e importit të makinerive dhe pajisjeve dhe të kredisë bankare për investime. Konkretisht, sipas Institutit të Statistikave, për shtatë muajt e parë të vitit importi i makinerive dhe pajisjeve arriti në 74.3 miliardë lekë, në rritje me nivelin prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ku një tjetër tregues i tërthortë, kredia e re bankare për investime paraqitet po ashtu në rritje për muajt e parë të vitit 2017. Konkretisht, sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-qershor, kredia e re për blerje të makinerive dhe pajisjeve dhe e pasurive të paluajtshme nga bizneset arriti në 25.9 miliardë lekë, në rritje me 2.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e kredive me probleme, ja si ka ndihmuar rritjen e fitimeve
Niveli i kredive me probleme këtë vit është në rënie të qëndrueshme, duke prekur nivelet më të ulëta prej vitesh. Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në fund të qershorit ra në nivelin prej 15.6%, niveli më i ulët ky i shënuar që nga mesi i vitit 2011. Kjo ulje ka ndihmuar përmirësimin e rezultatit financiar të sistemit bankar, për shkak të reduktimit të ndjeshëm të shpenzimeve për provigjione. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 6- mujorin e parë të vitit bankat shpenzuan më pak se 1.4 miliardë lekë për provigjione, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë kishin shpenzuar afro tre herë më shumë. Në krahun tjetër, edhe të ardhurat e jashtëzakonshme, që kryesisht konsistojnë në të ardhura nga shitja e kolateraleve arritën në 1.5 miliardë lekë, afro katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Blerja e banesave të reja, bankat sivjet u treguan më “dorëlëshuar” se më parë
Kush ka dashur që sivjet të blejë një banesë të re, patjetër që këtë vit e ka patur më të lehtë që të marrë një kredi pranë bankave. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave rezulton se ky zë ka siguruar shifra mjaft të larta gjatë muajve të këtij viti dhe sidomos gjatë muajit zgjedhor, qershor 2016. Konkretisht, sipas tyre, rezulton se kredia “për pasuri të paluajtshme” e akorduar në monedhën evropiane, arriti në këtë muaj në nivelin prej 51.3 milionë eurosh. Sikundër, një nivel mjaft të lartë duhet thënë se ajo e arriti për të njëjtën periudhë në fjalë, edhe për kredinë e akorduar në monedhën vendase, përkatësisht me 29.551 milionë lekë. Dukuri e njëjtë kjo duhet thënë edhe për huadhënien në monedhën amerikane, dollar, ku gjithmonë sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë rezulton se në muajin qershor 2017, sistemi bankar në rang vendi ka akorduar në total rreth 2.766 milionë dollarë, pikërisht për blerje “për pasuri të paluajtshme”.