Dhjetë litografi të firmosura të Salvador Dali janë gjetur brenda një garazhi në Londër ku ruheshin prej më shumë se gjysmë shekulli.
Veprat u zbuluan nga një person që merret me ankandet gjatë një vlerësimi rutinë dhe tani priten që të shiten për mijëra dollarë. Pikturat u zbuluan kur eksperti u thirr që të paraqitej në një pronë në Mayfair, Londër për të ndihmuar klientin me vlerësimin e disa relikeve.
Por vizita u kthye në një surprizë të vërtetë kur iu drejtuan garazhit të klientit, identiteti i të cilit nuk dihet.
Veç 10 litografive të Dalí që janë përgjithësisht një përzierje skenash mitologjike dhe alegorike, ka edhe 5 të tjera nga piktori, gdhendësi, ilustruesi dhe skulptori francez, Theo Tobiasse.
Mendohet se asokohe pikturat janë blerë për 500 paund ndërsa tashmë secila prej tyre mund të shitet për të njëjtën shumë kur të dalin në ankand më 30 shtator.
Sipas shtëpisë së ankandeve Hansons Richmond, “Dali dhe Tobiasse janë shumë të vlerësuar dhe çdo gjë që lidhet me ta kërkohet tepër. Këto litografi janë një mënyrë më pak e kushtueshme për të siguruar një kopje të firmosur”.
Dali ishte një surrealist i lindur në Figueres, Katalonjë më 1904 dhe ndërroi jetë në 1989.
Piktori njihet për veprat e çuditshme me orë që shkrijnë dhe karavidhe të kuqe.