Kryesore Të hënën ndaj Lihtenshtejnit, Sylvinho mesazh ekipit: Çdo minutë bën diferencën

Të hënën ndaj Lihtenshtejnit, Sylvinho mesazh ekipit: Çdo minutë bën diferencën

Përqendrim maksimal dhe asnjë polemikë. Në ditën e dytë të përgatitjeve përpara “Euro 2024”, nga Austria trajneri Sylvinho ka dhënë mesazhe të qarta.

Në eventin më të rëndësishëm kontinental, detajet bëjnë diferencën dhe aktivizimi një minutë në fushë mund të ndryshojë ndeshjen.

“Kemi ardhur në Austri për të punuar dhe të përgatitemi sa më mirë për “Euro 2024”. Kam parë te skuadra motivimin dhe karikimin e duhur. Europiani është një turne shumë i shpejtë dhe dinamik. Kemi nisur përgatitjet prej 3-4 ditësh edhe për ato lojtarë që kanë luajtur më pak. Për sa i përket formës fizike, mendoj që djemtë janë në gjendje të mirë dhe mund ta përballojnë aktivitetin. Duhet të përgatisim lojtarët sa më mirë që të japin kontributin e tyre për ekipin. Në momentin që aktivizohen, të japin maksimumin në fushën e lojës. Në një turne të tillë, 1 minutë mund të bëjë diferencën. Lojtari që nuk e kupton këtë situatë, i bie që të mos jetë në gjendje të hyjë në fushën e lojës”, deklaroi Sylvinho.

Përkrah trajnerit ishte edhe Klaus Gjasula. Mesfushori është një alternativë e mirë edhe për mbrojtjen, nëse ekipit do t’i nevojitet.

“Gjendja është e shkëlqyer si gjithmonë. Të gjithë jemi në formë të mirë dhe gjithçka është në rregull. Kemi disa muaj që nuk kemi luajtur bashkë, ndeshja do na ndihmojë të gjejmë njëri-tjetrin. Ndoshta nuk është kombëtare shumë e fortë, por do provojmë të nxjerrim atë se çfarë kemi bërë në stërvitje, ky është objektivi. Europiani është gjithmonë një gjë e veçantë, mezi po presim që të kalojnë ditët. Kemi shumë punë përpara, ndeshjet dhe stërvitjet që të përgatitemi shumë mirë për takimet e Europianit”, theksoi Gjasula.

Si pjesë e përgatitjeve, Shqipëria do të luajë këtë të hënë, më 3 qershor, miqësoren me Lihtenshtejnin.

Në datën 7, kuqezinjtë kanë testin me Azerbajxhanin, përpara debutimit në Euro 2024, kundër Italisë, më 15 qershor.