Aktualitet Të hënën rinis transporti urban, rregullat që duhen zbatuar

Të hënën rinis transporti urban, rregullat që duhen zbatuar

Pas 4 muajsh ndërprerje, ditën e hënë pritet të rinisë transporti urban në kryeqytet. Bashkia e Tiranës bën me dije se shoqata e transportit publik ka rënë dakord me kushtet e reja të vendosura prej saj.

“Lajm i mirë, të hënën rinis transporti publik. Pas paralajmërimit të kryetarit të Bashkisë, shoqata e transportit ka rënë dakord me kushtet e reja. Hidhi një sy detyrimeve & të drejtave që do të ketë çdo përdorues i transportit. #AMK vijon të jetë “non stop” e pranishme për të kontrolluar zbatimin e këtyre rregullave”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Bashkinë e Tiranës

Ajo që bie në sy është heqja e një prej kushteve që kundërshtohej vazhdimisht prej operatorëve të transportit.

Në protokollin e masave të publikuar nga bashkia e Tiranës thuhet se subjektet e licencuara (operatorë të transportit) nuk janë përgjegjës për mosrespektim të këtij protokolli nga pasagjerë apo staf për mosrespektimin e këtij protokolli.

“Masat e parashikuara në protokollin e sigurisë janë objekt kontrolli nga organet kompetente të parashikuara në aktet ligjore në fuqi”, thuhet në protokollin e sigurisë të publikuar nga bashkia e Tiranës.