Me tensione është zhvilluar sot seanca në GJKKO, ku ish-presidenti Ilir Meta do të njihej me masën e sigurisë.
Kreu i Partisë së Lirisë nuk është përmbajtur aspak kur ka parë përballë tij prokurorët, veçanërisht Altin Dumani.
Jo vetëm fjalë ofenduese drejt kreut të SPAK, po Meta edhe e ka kërcënuar duke i thënë “mbaje mend çfarë kam për të të punuar”.
“Dum duman, qen”, i është drejtuar ai prokurorit Dumani, teksa në një moment ai ka kapur veshin e tij duke thënë: “Këtu ta kam, mbaje mend çfarë kam për të të punuar”.
“Më keni arrestuar me urdhër të narkoshtetit, merrni urdhër nga Rama, është shkelje e ligjit”, ka thënë Meta ndër të tjera.
Ndërkohë, pavarësisht sulmeve dhe fjalorit ofendueses të Metës, Dumani ka qëndruar i qetë duke mos reaguar në asnjë moment, teksa krah tij ishte edhe prokurori Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Pas përplasjeve seanca është shtyrë për në orën 13.30 pasi avokatët e metës, Kryemadhit dhe të akuzave të tjerë kanë kërkuar kohë që të njihen me aktet.