Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, po zhvillon takime me minoritetin grek në fshatin Derviçan të Dropullit në Gjirokastër ku është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
“Të konsiderojmë mik e vëlla në tokën tonë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama për homologun grek Kiriakos Mitsotakis, gjatë takimit me banorët në Derviçan të Dropullit. Në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se mbajti premtimin për të sjellë kreun e qeverisë greke në këtë zonë, fiks 30 vjet pas vizitës së babait të tij në vendin tonë, kur ishte kryeministër i Greqisë të tij.
“Ju kisha premtuar që do ta sillja këtu të birin e atit dhe ja ku e keni dhe është prekëse dhe për mua që nuk jam pjesë e minoritetit që të vijmë sot këtu pas 30 vjetësh që i pari dhe i fundit kryeministër i Greqisë ndaloi për të përshëndetur vëllezërit dhe motrat në minoritet, i ndjeri babai i kryeministrit aktual, i cili me shumë kënaqësi e ka pritur këtë ftesë. Duhet të vinim të nesërmen e datës 6 kur kishim samitin e BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë, por moti ishte i keq dhe u detyruam që ta shtyjmë, por edhe më mirë akoma se nuk besoj që ka një ditë më të bukur se në një vigjilje Krishtlindjesh, dua të falënderoj banorët e Derviçanit dhe kryetarin e bashkisë që ka siguruar bashkë me ju që të jetë ky diell, por me siguri e lutje e këmbëngulje”.
Rama theksoi se minoriteti është një urë e pazëvendësueshme e lidhjes mes dy vendeve tona, ndërsa vlerësoi se nga ky komunitet kanë dalë sipërmarrjet më të rëndësishme shqiptare.
“Për t’i dëshmuar kryeministrit bukurinë e mirëseardhjes këtu dhe për ta celebruar këtë moment të rëndësishëm për ne. Minoriteti është një urë e pazëvendësueshme e lidhjes së pasgjidhshme mes dy vendeve tona dhe me shumë mirënjohje dua t’i përshëndes ata qytetarë me kombësi greke që i kanë dhënë shumë jo vetëm këtij komuniteti, por edhe vendit dhe që falë lirisë e hapjes së kufijve mund të lëvizin lirisht mes kësaj ane dhe asaj ane të kufirit. Më vjen mirë që përfaqësuesit e këtij komuniteti në sipërmarrjen shqiptare janë më të rëndësishmit në ekonominë tonë. Nga ky komunitet ka artistë piktorë, skulptorë që aktivitetin tyre e zhvillojnë në Janinë, por janë të pandarë nga jo zonë. Më vjen mirë që kemi dhe djallin vetë Piro Dhimën. S’kanë lënë gjë pa i thënë por çfarë s’të vret, të forcon. Në një gjë përbashkët e kemi të konsiderojmë mik e vëlla në tokën tonë”
Rama njoftoi gjithashtu projektin e Rilindjes urbane të sheshit kryesor që do të mbajë emrin e babait të kryeministrit, Kiriakos Mitsotakis si edhe bustin e tij.
Rama-kryeministrit grek: ‘Kjo është dita jote dhe me shumë respekt dhe shumë dashuri unë po bëj dhe organizatorin e lëvizjeve, fotografive sepse është me të vërtetë nder Asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë për mua që ta dish, e kemi të për shkak që të konsiderojmë mik dhe vëlla këtu në tokë tonë’.
Më herët gjatë ditës, Kyriakos Mitsotakis mbërriti në stadiumin e Himarës me helikopter ushtarak nga Janina dhe mbajti një fjalim të shkurtër përpara komunitetit grek në qendër të qytetit.
Ndërsa, gjatë fjalës së tij në Himarë, pasi vizitoi shkollën “Omiros”, Mitsotakis u shpreh se minoritarët që jetojnë në Shqipëri do të kenë mbështetjen e shtetit grek.
Kreu i qeverisë greke veç fjalive për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, garantoi se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë të mundur respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
Ai theksoi se do të japë gjithë mbështetjen dhe për brezat që do të vijnë në mënyrë që të mësojnë gjuhën dhe kulturën greke.