Me parullat “Drejtësi për Learin” është mbajtur sot pasdite protesta e dytë pranë ambienteve të Ministrisë së Brendshme nga shoqëria civile për vdekjen e Lear Kurtit.
32-vjeçari ndërroi jetë pasi u shoqërua në komisariat nga policia e Tiranës.
Me qindra qytetarë në këtë protestë kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes, vënien para drejtësisë të përgjegjësve dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Nën sloganin “Drejtësi për Learin”, të rinjtë ndezën qirinj në kujtim të 32-vjeçarit, ndërsa hodhën edhe miell mbi efektivët e policisë në këtë protestë.
Për vdekjen e Lear Kurtit, tre policë të patrullës së përgjithshme të komisariatit numër 3 u pezulluan nga detyra. Bëhet fjalë për efektivët që kanë qenë në detyrë në momentin kur kanë ndaluar të ndjerin pasi në Spitalin e Traumës u transportua nga një tjetër patrullë.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës që është duke hetuar vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti, ka nisur hetim edhe për mjekët e Spitalit të Traumës. Hetimet ndaj tyre kanë nisur pas publikimit të një fotoje nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në të cilën shfaqet Lear Kurti duke marrë mjekim në pavionin e spitalit. I riu shfaqet i shtrirë në shtrat me pranga në duar dhe duke marrë serum.
Hetimi ka nisur për faktin se më herët, spitali i Traumës zyrtarisht tha se i riu mbërriti i pa jete. Në deklaratën e parë pas ngjarjes edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaroi se Kurti humbi jetën në spital, por në një deklaratë tjetër, AMP ndryshoi version duke thënë se ndërroi jetë rrugës për në spital.