Ambasadori amerikan Donald Lu ka risjellë në vëmendje reformën në drejtësi, duke iu referuar si një përparësi dhe investim i qeverisë amerikane.
Diplomati amerikan u kujdes të dërgonte një mesazh të qartë për politikanët shqiptarë, disa prej të cilëve tha ai, janë shprehur kohët e fundit se reforma në drejtësi ka vdekur.
Për Lu nuk ka vdekur reforma, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë siç kanë bërë deri më tani.
“Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë”, tha Lu, ndërsa theksoi se të të dyja palët duhet t’i japin fundit epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.
Deklarata e tij u bë në Konferencën e Avokatit të Popullit.
Lu theksoi se Shqipëria nuk mund të hyjë në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë.
Fjala e Donald Lu
Luftoj për reformën në drejtësi edhe sepse është një përparësi e lartë e Presidentit amerikan dhe Sekretarit të Shtetit. Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar, komisionet e vettingut dhe vëzhguesit ndërkombëtar kanë punuar shumë, së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vettingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK dhe BKH.
Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë.
Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur.
Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur. Sistemi i vjetër i drejtësisë mbrojti njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik.
Sistemi i ri nuk mund të ketë një prokuror të përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.
Ky vend nuk mund të hyjë në BE nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Europë. I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojmë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm të prokurorit të përgjithshëm të cilit i përfundoi mandati 5 vjeçar me 7 dhjetor.
Të dy palët duhet t’i japin fundit epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.