Kryesore Të martën rihapen linjat ajrore Shqipëri-Itali, hapet aeroporti i Selanikut në Greqi

Të martën rihapen linjat ajrore Shqipëri-Itali, hapet aeroporti i Selanikut në Greqi

Franca pritet nga data 1 korrik të rihapë kufijtë e saj me shtetet jashtë zonën Shengen.

Vendimi në harmoni me rekomandimin e kësaj jave të Komisionit Europian do të zbatohet edhe për vendet e Ballkanit, mes tyre Shqipëria.

“Kjo hapje do të jetë graduale dhe varion në bazë të situatës shëndetësore të secilit vend, dhe në pajtim me planet që janë ndërmarrë tashmë në nivel europian,” thanë ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme franceze në një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Franca është ndër shtetet më të prekura nga pandemia pas Spanjës dhe Italisë, por të tria vendet prej javësh po zbutin masat ekstreme të izolimit që janë në fuqi nga muaji mars.

Kufizimet për udhëtime brenda BE-së është udhëzuar të hiqen duke nisur nga dita e hënë.

Nga 15 qershori, edhe në Greqi do shtohet numri i aeroporteve aktive, duke përfshirë përveç atij të Athinës, edhe Selanikun, që do presë fluturimet e para pas disa muajve pezullim.

Pasagjerët nga Shqipëria, vendet fqinje dhe shumica e vendeve europiane nuk do u nënshtrohen kushteve të posaçme përpos testimit rastësor.

Ndërkohë në Itali, pas hapjes fillestare më 3 qershor të kufijve tokësorë me vendet europiane, nga dita e martë nisin fluturimet për shtetasit shqiptarë.

Dy kompani të ndryshme private do operojnë gjatë sezonit veror nga Shqipëria, ndërkohë që gjiganti shtetëror “Alitalia” ka lajmëruar se fluturimet për destinacionet e huaja nisin në korrik.

Të hënën, edhe Gjermania do lehtësojë kufijtë ajrorë me 31 shtete europiane, ndërkohë që Shqipëria dhe shumica e vendeve të botës do hasin kufizime në udhëtim të paktën deri më 31 gusht, me një vendim paraprak të qeverisë gjermane.

Nga korriku, Spanja pritet të rihapë kufijtë me vendet anëtare të BE-së dhe Zonën Shengen, ndërsa fluturime nga Britania është planifikuar të rinisin më së shumti gjatë muajit të ardhshëm.

Europa është aktualisht kontinenti më shumë i goditur prej pandemisë së koronavirusit të ri, duke raportuar gati gjysmën e viktimave nga infeksioni vdekjeprurës nëpër botë.

Jashtë kontinentit, Amerika vazhdon të aplikojë kufizime për udhëtimet nga shtetet europiane, shumica e vendeve aziatike nuk kanë shpallur data për të pritur pushues të huaj gjatë sezonit, ndërsa të mbyllura për vizitorët e jashtëm mbeten edhe Amerika Latine, Rusia dhe Afrika.