Banesa me një peizazh baritor, burra me kapele kashte duke hipur në karroca me kuaj, mund të duken si elemente të kohëve të kaluara në Midwest-in amerikan. Në fakt, ky stil jetese ende vazhdon të ruhet në Belize, në Amerikën Qendrore, ku një komunitet i mbyllur protestant prej 12 000 vetash, shmangin teknologjinë moderne dhe në disa raste edhe energjinë elektrike.
Anëtarët e këtij sektit nisën të lëvizin nga Evropa që nga shekulli i 16-të, në kërkim të tokave bujqësore të izoluara, për t’i shpëtuar persekutimit. Në fund të viteve 1950, një grup prej mbi 3000 menonitësh kanadezë emigruan në Belize. Ardhja e tyre pasoi me një marrëveshje me qeverinë vendase, e cila u ofroi atyre tokë, liri fetare dhe përjashtim nga taksa të caktuara. Në këmbim, vendi ka shijuar frytet e bujqësisë së tyre. Sot, menonitët dominojnë tregjet e brendshme të shpendëve dhe qumështit në Belize, pavarësisht se përfaqësojnë më pak se 4% të popullsisë.
Të lejuar për të drejtuar shkollat e tyre, menonitët e Belizës kanë shkallë të ulët të arsimimit në krahasim me grupet e tjera etnike të vendit, me vetëm 5% që përfundojnë arsimin e mesëm. Ata kryesisht mbështeten në bujqësinë tregtare, brenda komunitetit të tyre.
“Bota e tyre kryqëzohet tani më shumë me botën moderne sesa më parë. Ka disa menonitë që punojnë së bashku me njerëzit e tjerë në Belize, kështu që ata janë të vetëdijshëm për botën e jashtme dhe atë që po ndodh”, tha për CNN, fotografi Jake Michaels, i cili u bë pjesë e një projekti për të zbuluar më shumë për këtë komunitet, përmes imazheve. Fotografitë e shumta fiksojnë një shoqëri të mbetur pas në kohë, që reflektohet në veshje, stil jetese, e gjithçka që të kthen pas në vitet 1950.