Fillimi i javës ka nisur me reshje të dendura shiu, por duke u ndërprerë gjatë paradites në mbarë vendit. Sipas sinoptikanëve edhe kjo javë do të mbetët me temperature relativisht të ulta dhe me rrebeshe shiu.
“Parashikohet që orët vijuese reshjet të kenë dobësim të ndjeshëm të intensifikimit, në mesditë do kemi intervale të shkurtra me kthjellime, ndërkohë që dita e martë pritet që të sjellë një ndërprerje të reshjeve, përjashtuar ekstremin jugor, ku do të ketë reshje të pakta. Kjo është një situatë ose përmirësim krejtësisht i përkohshëm, duke qenë se ditën e mërkurë, në orët e pasdites do të kemi ardhjen e një tjetër sistemi të mirëfilltë të vranësirash duke sjellë reshje të konsiderueshme në territori. Mbrëmjen e së mërkurës, dita e enjte dhe deri në orët e paradites së ditës së premte i gjithë vendi do përfshihet nga reshje të konsiderueshme”, është shprehur meteorologia Lajda Porja.
Temperaturat maksimale nuk pritet të kalojnë mbi 20 gradë celsius.
“Dita e martë dhe në vijim pritet që të sjellë rënie graduale të vlerave termike, pritet që më e ftohte të jetë dita e enjte dhe dita e premte. Pritet të kemi dhe një ndryshim të masave ajrore që vijnë nga veriu i Evropës duke na sjellë temperatura të paktën 0 apo -1 gradë në zonat malore, po ashtu pritet që maksimalja nga 23-24 gradë që do të shënohet sot, pritet që të zbresë 18 apo 19 të paktën të enjten dhe të premten, përfshirë dhe fundjavën”, është shprehur meteorologia.
Sipas parashikimeve, për shkak të erës, në det të hapur dallgëzimi do të shkoj deri në 4 ballë, ndërkohë që dëbora nuk do mungojë në majat e malit me mbi 1200 metra lartësi.