Nga nisja e pandemisë së Covid-19, filloi edhe lufta për prodhimin e vaksinës që krijon imunitet nga ky virus. Deri më tani, Pfizer dhe Asta Zeneca listohen si konkurrentët që po furnizojnë botën me këtë vaksinë.
Por cilat janë dallimet mes tyre? Prestigjiozja britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull kësaj teme, ku sqaron se Pfizer mburret me një efikasitet prej 95% krahasuar me 70 për qind që vlerësohet për vaksinën e Oksfordit.
Gjithashtu, Pfizer pretendon se imuniteti fillon 14 ditë pas vaksinimit, ndërsa me AstraZenecan imuniteti nis pas 22 ditësh. Për këtë aspekt ka pasur kundërshti nga të dyja kompanitë. Ndërkaq, sipas “Telegraph”, vaksina e Oksfordit zvogëlon transmetimin e virusit me 67 për qind, por nuk ka të dhëna për Pfizerin.
Efektet anësore ekzistojnë tek të dyja kompanitë. Vaksina e Pfizer duhet të mbahet në -70 gradë Celcius dhe të përdoret brenda pesë ditëve pasi del nga kontejneri me akull të thatë, në të cilin është transportuar, ndërsa vaksina e Oksfordit mund të mbahet në një frigorifer, midis 2 dhe 8 gradë Celcius, deri në gjashtë muaj.
Shifrat e publikuara, që kanë rrjedhur në media ,duke thyer konfidencialitetin tregtar tregojnë se vaksina e Pfizer është 10 herë më e shtrenjtë se AstraZeneca, e cila vjen me 2 euro për dozë.
Nga ana tjetër, disa vende të BE-së, si Franca, Polonia, Suedia, Italia dhe Gjermania, kanë deklaruar se vaksina Oxford AstraZeneca nuk do përdoret në këto shtete për moshat mbi 65 vjeç, pasi është cilësuar si joefektive për këtë grupmoshë.