Në përputhje me doktrinën e saj bërthamore, Moska planifikon masa hakmarrëse vetëm për të parandaluar asgjësimin e Rusisë.
Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus Serghei Lavrov, raporton Tass, duke komentuar mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Ai bëri thirrje SHBA-së që të mos fryhet artificialisht tema e kërcënimit bërthamor.
“I këshilloj ata që spekulojnë për këtë temë të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre. Nuk ka nevojë të fryhet artificialisht”, tha shefi i diplomacisë ruse.
“Tani do t’i këshilloja amerikanët dhe satelitët e tyre, të cilët gjithashtu janë të përfshirë në ushtrime të tilla, dhe jo vetëm ata, por edhe analistët dhe politologët tanë, të tregojnë përgjegjësi maksimale kur bëjnë vërejtje publike”, theksoi ai.
Ndërkohë, OKB-ja thotë se bombardimi i djeshëm rus i Ukrainës “mund të ketë shkelur” ligjin ndërkombëtar për luftën.
Parlamenti i Estonisë do të debatojë sot një mocion për ta shpallur Rusinë një “shtet terrorist”.
Mocioni dënon ashpër veprimet ushtarake të Federatës Ruse kundër Ukrainës dhe aneksimet e kryera në mënyrë të paligjshme. “Estonia”, thuhet në mocion, “kurrë nuk do të njohë” shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës si rezultat i “agresionit të turpshëm” dhe “referendumit farsë”.