“Do të ishte shumë më e rëndë sesa shtyrja e vendimit për miratimin e kornizës negociuese të konferencës së parë ndërqeveritare pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit për të udhëtuar në Europë normalisht për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori, kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore. Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe uroj që ju dhe miqtë e tjerë të na ndihmoni që ta përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye që të ndahen njerëzit në kategori kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre të lëvizjes së lirë në bazë të rregullave”, u shpreh Rama.
Rama u shpreh se ata që kanë bërë vaksinën ruse apo kineze nuk kanë pse të bëjnë testin për koronavirusin, por të lëvizin të lirë në vendet e BE.
“BE nuk duhet të marrë peng askënd që jeton në këtë rajon për shkak të firmës që ka bërë vaksinën. Në kriteret që kam parë unë, është mundësia që kush ka të drejtë lëvizje, si ne, të bëjë testin ose të jetë i vaksinuar. Pse duhet ta bëjnë testin ata që kanë bërë vaksina kineze apo ruse? Këtu nuk janë vetëm shqiptarët, por të gjithë në rajonin tonë”, u shpreh Rama.