Pas shqetësimeve të Bashkimit Europian për amnistinë fiskale në Shqipëri kreu i Partisë Ilir Meta i ka bërë thirrje të heqë dorë dhe të zbatojë rekomandimet e FMN-së.
Në një konferencë për mediat Meta e argumentoi qëndrimin e tij me arsyetimin se kjo nismë do të falimentonte biznesin dhe do të nxiste krimin në vend.
“Do të dëmtohej në mënyrë fatale biznesi i ndershëm që do falimentonte dhe iniciativa e lirë vendase, do largoheshin edhe ata pak investitorë që kanë mbetur. Do të inkriminohej e gjithë shoqëria, do të minohej besimi i qytetarëve te shteti i së drejtës dhe do të nxitej më shumë ekonomia informale e kriminale, do inkurajohej perceptimi i gabuar se çdo veprimtari kriminale do të amnistohej në të ardhmen dhe do të rriste krimin e rrugës dhe më shumë shqiptarë në burgje. Shqipëria falë kësaj qeverie është kthyer në bazë operacionale mbarë botës”
Sipas Metës, kjo do të dëmtonte edhe procesin e nisjes së negociatave të integrimit.
“Do të minohej procesi i nisjes së negociatave dhe procesi i integrimit. Mbështes plotësisht të gjitha shqetësimet e argumentuara që janë shprehur në mënyrë të qartë përmes rezolutës së parlamentit europian në 12 maj 2022 dhe nga përfaqësues të vendeve partnere si SHBA dhe Britania e madhe. Shpërfillja e qeverisë është e papranueshme dhe e patolerueshme. I bëj thirrje të hiqet dorë nga kjo përpjekje e pashpresë dhe të zbatohen rekomandimet e FMN duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve për këtë provokim”.
“Qeveria të mos shpallë krimin si motor të zhvillimit të vendit. Në çdo vend europian promotor i zhvillimit është arsimi jo krimi”, përfundoi Meta.