Parlamenti hap dyert sot për një sesion të rëndësishëm legjislativ. Paraprakisht sot është mbledhur online Konferenca e Kryetarëve.
Në mbledhje u vendos ngritja e Komisionit që do të zgjedhë KQZ e re.
“Kuvendi ka detyrimin për të ngritur komision të posaçëm parlamentar, me përfaqësim propocional nga çdo grup parlamentar, për shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave të paraqitura për vendin e Komisionerit, anëtarëve të Rregullatorit dhe të KAS-it. Ju bëj me dije se propozimin tuaj për anëtar në komisionin e posaçëm duhet ta paraqitni pranë Kuvendit brenda datës 09.09.2020″, thuhet në shkresën e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, drejtuar krerëve të grupeve parlamentare ku u kërkon të dërgojnë emrat e anëtarëve.
Ndërsa seanca plenare që do të çelë punimet në orën 17:00, do të jetë vetëm formale ku do të ruhen procedura për respektimin e masave anticovid.
Axhenda e legjislativit do të fokusohet pikërisht tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 25 prill 2021.