Ambasada amerikane në Tiranë ka zbardhur takimet e ambasadores Yuri Kim me përfaqësuesit e politikës. Në faqen zyrtare të Facebook-ut të ambasadës amerikane thuhet se takimi kishte në fokus zgjedhjet vendore të 14 majit, teksa ambasadorja Kim u kujtoi përfaqësuesve të PS-së PD-së dhe PL-së rekomandimet e vëzhgimet e ODIHR-it.
Kim ka bërë apel që të parandalohet çdo formë presioni për të zbuluar si kanë votuar njerëzit, të hetohen raste e blerjes së votës dhe të garantohet siguria e të dhënave personale të qytetarëve.
“Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet.
Agjencitë ligjzbatuese duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votës. Qytetarët duhet të nxiten të raportojnë dhe të japin fakte për çfarëdo blerje votash apo presioni.
Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë tërësisht dhe të ndëshkojnë çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin zgjedhor”.
Sipas Kim duhet të ndryshohet “legjislacioni për të siguruar që mediat të jenë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e konkurruesve në zgjedhje me synimin për të kufizuar përdorimin në lajme të materialeve të prodhuara nga partitë”.
Drejtuesit e partive konfirmuan gjithashtu se do të shqyrtojnë kandidatët përkatës për t’u siguruar që ata përmbushin kërkesat e ligjit si dhe pritshmëritë e votuesve shqiptarë për kandidatë të pastër.