Në deklaratën e përbashkët për media nga Ankaraja, ku u nënshkruan një sërë marrëveshjes dypalëshe mes Turqisë dhe Shqipërisë, Presidenti Rexhep Taip Erdogan kërkoi zgjidhjen përfundimtare të problemit me organizatën FETO, e cila financohet nga kleriku Fetullah Gulen.
Njëjtë si ministri i tij i Jashtëm, Hakan Fidan, i cili më 29 janar nga Tirana kërkoi largimin e anëtarëve të fundit të FETO-s që kanë mbetur në Shqipëri, edhe Erdogan ia tha në sy kryeministrit Edi Rama se ka ardhur koha për të finalizuar luftën me organizatën e shpallur terroriste nga Turqia.
Gjatë fjalës së tij, Erdogan tha se pjesë e diskutimit me Ramën ishte edhe organizata FETO, për të cilën u shpreh: “Pjesë e axhendës tonë ishte edhe pastrimi i mbetjeve të Shqipërisë, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo të arrijë objektivat e saj dhe shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falenderoj për kontributin që ka dhënë Fondacionit Turk që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindje se ky kontribut do të vazhdojë dhe periudhën e ardhshme”.
Presidenti turk Erdogan u shpreh se bashkëpunimi me Shqipërinë vijon të rritet, teksa tha se është konfirmuar vendosmëria për të ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet Turqi-Shqipëri. Erdogan shtoi se objekti është që volum tregtar mes dy vendeve të shkojë 2 miliardë Dollarë.
“Bashkëpunimi jonë vazhdon të zhvillohet. Sot, në mbledhjen e parë, konfirmuam vendosmërinë për të ngritur në nivel më të lartë marrëdhëniet tona. Theksova rëndësinë që i jep Turqia rritjes së mirëqenies së popullit shqiptar. Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë dollarë, objektivi është që të shkojë 2 miliardë dollarë. Kam besim se do ja arrijmë kësaj shifre në një kohë shumë të shkurtër. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar mijëra shqiptarë në mbështetje të ekonomisë vendase. Do të vazhdojmë të punojmë për të rritur investimet. Do të vazhdojmë me projektet tona përmes agjencisë TIA. Marrëveshja që nënshkruan, do të forcojë dhe më shumë bashkëpunimin tonë.”
Presidenti Erdogan i kujtoi kryeministri Rama premtimin që i dha për ndërtimin e spitalit të Fierit për një kohë shumë të shkurtër, teksa shtoi se do të vazhdojnë që ta menaxhojnë bashkë.
“Në janar 2021 dhamë premtimin se do të ndërtonim brenda 3 muajve një spital në Shqipëri. Vendosëm bast dhe ne e mbajtëm fjalën dhe për 3 muaj e ndërtuam spitalin e miqësisë në Fier. Do të vazhdojmë ta menaxhojmë bashkë këtë spital. Edhe këtej e tutje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit shqiptar.”
Në fund të fjalës së tij, Erdogan u falenderoi kryeministrin Rama dhe ministrat për vizitën si dhe uroi që marrëveshjet e firmosura mes 2 vendeve të jenë të dobishme.
“Me mikun tim do të t’i vazhdojmë kontaktet. Uroj që vendimet e marra dhe marrëveshjet e firmosura të jenë të dobishme. Për kontributet që ka dhënë, kryeministrin Rama e falenderoj dhe Zoti e ruajt dhe e forcoftë këtë marrëdhënie”, u shpreh Erdogan.