Ekonomi Të përjashtuarit nga tenderët, numri i kompanive arrin në 18

Të përjashtuarit nga tenderët, numri i kompanive arrin në 18

Të paktën 18 kompani janë të përjashtuar nga Agjencia e Prokurimit Publik për t’u bërë pjesë e garave konkurruese në procedura të ndryshme që çelen nga autoritet kontraktore. Lista e bërë publike nga APP është rishikuar duke përfshirë për vitin 2019 edhe katër kompani të tjera ndërkohë që nga viti i shkuar vijon kufizimi për 14 të tjera. Periudhat e përjashtimit nga procedura e prokurimit publik për kompanitë nis nga një vit deri në tre vjet. referuar kuadrit ligjor që rregullon pjesën e prokurimeve arsyet se pse operatoret mund të përjashtohen nga tenderët janë nga më të ndryshmet por më të zakonshmet lidhen me keqinformimin përmes dokumenteve të pasaktë, si dhe mosrespektimi në kohë i detyrimeve kontraktuale.

Në shumicën e rasteve sikurse është bërë më herët një vlerësim nga APP në raportin vjetor operatorët ekonomikë janë përjashtuar për shkak të keqinformimit, nëpërmjet paraqitjes në tender të dokumenteve, që përmbajnë të dhëna të rreme. Po kështu jo të pakta janë rastet kur përjashtimi vjen për shkak se operatori nuk ka arritur të mbyllë punimet apo shërbimet sipas kontratës së nënshkruar me autoritetin kontraktor respektiv.

Në fakt, të dhënat zyrtare tregojnë se kërkesat e bëra nga autoritetet kontraktore për përjashtim të subjekteve nga tenderët kanë qenë dukshëm më të larta sesa numri i atyre që janë lënë vërtet jashtë kësaj liste. Konkretisht, gjatë vitit 2018, janë marrë në shqyrtim 58 propozime për përjashtimin e operatorëve ekonomikë.

Vit pas viti lista e operatorëve ka ardhur në rritje edhe për shkak se afati i ndalimit të pjesëmarrjes në disa raste është tre vjet duke çuar kumulativen në një shifër më të lartë. Për vitin 2016 të përjashtuar ishin vetëm gjashtë operatorë, ku pjesën më të madhe të përjashtimeve e zenë ata që nuk kanë përmbushur detyrimet kontraktuale, dy nuk kanë deklaruar të dhëna të sakta dhe një tjetër në zbatim të vendimit të Gjykatës. Në vitin 2015 dhe 2014 numri i të përjashtuarve nga tenderët është respektivisht 6 dhe 12.