Politika “Të presim arsyetimin dhe hyrjen në fuqi”, Celibashi komenton vendimin e Kushtetueses...

“Të presim arsyetimin dhe hyrjen në fuqi”, Celibashi komenton vendimin e Kushtetueses për hapjen 100% të listave

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi teksa komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për hapjen 100% të listave thotë se duhet të pritet ende për arsyetimet e këtij vendimi dhe futjen në fuqi të tij.

“Do duhet të shikojmë arsyetimin e vendimit dhe ajo çfarë vlen më shumë është që duhet të presim kur ky vendim të hyjë në fuqi”, tha Celibashi për gazetarët.

Dhjetë ditë më parë Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpërndau mandatet e deputetëve për legjislaturën e ardhshme, ndërkohë formalisht pritet të shpallet edhe rezultati.

“Në kuptim të shpërndarjes së mandateve kjo konsiderohet e përfunduar. Do të duhet që formalisht Komisioni Rregullator të shpallë rezultatin në mënyrë përfundimtare zyrtarisht. Por në kuptim të shpërndarjes së mandateve, kush janë kandidatët fitues dhe numrit të votave që ka marrë çdo subjekt zgjedhor, nuk ndryshon asgjë. Kjo është përfundimtare”, u shpreh ai.

Kodi Zgjedhor detyron KQZ që pas nxjerrjes së rezultatit përfundimtar, të rinumërojë të jo më pak se 10% të qendrave të votimit. Rezultatet verifikimit paszgjedhor mund të bëhen objekt i hetimit nëse dalin të dhëna dhe krijohen dyshime për kryerjen e veprave penale në zgjedhje.

“Nëse nuk do të kishim këto vonesa, mundet që gjatë këtij muaji ta kishim kryer këtë si procedurë. Mesa duket do mbetet për muajin shtator”.

VENDIMI I KUSHTETUESES

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë si papajtueshme më Kushtetutën nenin e Kodit Zgjedhor, që parashikon ndarjen e mandateve me thyerjen e herësit.

Kushtetuesja ka pranuar kërkesën e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit dhe Lëvizjes Demokratike Shqiptare, e Myslim Murrizit, të cilët kanë kërkuar heqjen e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Elektoral.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese krijon mundësinë që listat e kandidateve të partive politike do të jetë të hapura 100%. Me këtë vendim të Kushtetueses nuk do të ketë më përparësi renditja e kandidatëve në listë sipas pëlqimeve të kryetarëve të partive, por renditja do të bëhet sipas mbështetjes që do të kenë kandidatët në garë.