Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që autoritetet shtetërore të ngrenë sa më parë qendra rehabilitimi për riintegrimin e viktimave të fenomenit të ekstremizmit në Siri.
Kreu i shtetit vlerësoi rolin e medias në evidentimin dhe vënien në vëmendje të opinionit publik të shqiptarëve që sot ndodhen në Siri. “Sot rajoni ynë përballet me shumë sifda të përbashkëta në lidhje me kampet në Siri, në të cilët ndodhen fëmijë dhe gra nga disa prej vendeve tona”, tha Meta në konferencën “Feja si instrument për Paqen”, zhvilluar në Tiranë.
“Kohët e fundit opinioni u trondit rëndë nga rasti i Alvin Berishës, vogëlushit shqiptar i cili mbeti i mbyllur në kampin Al Hawl të Sirisë. Falë gazetarëve të huaj dhe shqiptarë ai arriti të shpëtohej. Por ka edhe kampe të tjera në të cilat ndodhen dhjetëra gra e fëmijë shqiptarë dhe nga vende të tjera të rajonit tonë. Duhen ngritur urgjentisht qendra rehabilitimi për t’u siguruar që persona të tillë të riintegrohen në shoqëri. Viktimat e këtij fenomeni duhet të identifikohen, të përkrahen në mënyrë që të bëhen pjesë e jetës normale”, shtoi Presidenti.
Edhe Presidenti Hashim Thaçi theksoi se Kosova do vijojë të jetë partnere e SHBA kundër ekstremizmit të dhunshëm. “Administrata e SHBA e ka vlerësuar Kosovën si kampion rajonal në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Sot Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë aktive dhe dinamike e koalicionit anti ekstremist. Bashkë me komunitetin fetar po punojmë për kthimin dhe risocializimin e të kthyerve, sidomos grave dhe fëmijëve të tyre”, tha ai.