Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi në Spanjë në kuadër të hetimeve që ka nisur për heqjen e zemrës së 33-vjeçari Saimir Sula në një spital në Barcelonë.
Prokurorët e kryeqytetit i kërkojnë homologëve të tyre që të nisin hetimet, duke kryer verifikime në spitalin ku ka qenë i shtruar, i riu shqiptar që u kthye në atdhe pa organin jetësor.
Prokuroria e Tiranës kërkon që personeli mjekësor në spitalin e Barcelonës të merren në pyetje lidhur me medikamentet dhe të japin shpjegime pse kanë vendosur të heqin zemrën e shqiptarit dhe më pas dorëzimi i trupit të pajetë dhe pa zemër, tek familjarët.
Prokurorja Suela Salavaçi kërkon prej prokurorisë që të mësohet vendi ku është dërguar zemra e Sulës dhe për çfarë është përdorur.
Prokuroria shqiptare kërkon të administrohet zyrtarisht dhe një kopje të kartelës mjekësor edhe të mësohet nëse 33-vjeçari ka marrë ose jo trajtim mjekësor në ndonjë klinikë tjetër, përveç spitalit ku ka ndërruar jetë.
Skandali i heqjes së zemrës së Saimir Sulës në Barcelonë të Spanjës, është zbuluar rastësisht nga familjarët e viktimës në Tiranë, të cilët pasi zbuluan trupin, konstatuan se djali i tyre kishte një të çarë në zemër. Këto dyshime u vërtetuan më pas dhe nga mjekësia ligjore të cilët i referuan të dhënat Prokurorisë së Tiranës.