Në një takim këtë të mërkurë me strukturat akomoduese në Gjirokastër, kryeministri Rama u shpreh se paga minimale do të shkojë 400 mijë para fundit të këtij mandati të qeverisë.
Ai theksoi se pagat duhet të rriten sa më parë në mënyrë që të ndalen largimet nga vendi.
“Duhet t’i rrisim edhe më shumë pagat. I kemi rritur sepse ishim me një distanca të madhe nga rajoni, por sërish jemi mbrapa. Edhe juve ju them se është koha për të mos menduar më me logjikën, “hë se mbajnë këta”, është koha për t’i paguar më shumë punonjësit, për t’i pasur këtu, edhe për t’i kthyer këtu, pse jo.
Jashtë vërtetë mund të marrin më shumë, por paguajnë më shumë. Por si mund të kthehen në rast se paga nuk është më e lartë. Ne në programin e qeverisë kemi pasur që duhet të arrijnë pagën minimale 400 mijë lekë brenda mandatit, por duhet ta bëjmë më shpejtë. Është e domosdoshme. Duhet të rrisim edhe më shumë pagat e të gjithë punonjësve dhe shërbëtorëve të shtetit, infermierë, mësues e të tjerë”, tha Rama.