Një i ri shqiptar humbi tragjikisht jetën mëngjesin e kësaj të hënë në Katania të Italisë. Viktima është Kastriot Ismailaj, 27 vjeç. Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, ai kishte mbetur i plagosur me armë zjarri të premten. Plumbi e kishte kapur në fytyrë dhe ai ishte dërguar me urgjencë në spital.
Të shtënat ndodhën pas një zënke brenda një apartamenti në rrugën Santo Cantone, në lagjen Nesima. Së bashku me viktimën, që mësohet se ishte pa dokumente në Itali, i plagosur mbeti edhe një 43-vjeçar, i identifikuar si Carmelo Leonardi. Ky i fundit, përveç plumbit, ra edhe nga kati i dytë i godinës ku ndodhi ngjarja.
Ndërkohë, po mëngjesin e sotëm në prokurori u dorëzua një person i tretë, që dyshohet se është i përfshirë në këtë ngjarje. Giovanni Pasqualino Di Benedetto, 27 vjeç, mësohet se është me precedentë të mëparshëm penalë dhe është arrestuar me akuzën e tentativës për vrasje.
Rrethanat e gjithë kësaj ngjarjeje momentalisht nuk janë të qarta.
Mediat fqinje ngrenë disa pyetje, mes të cilave, çfarë bënte Benedetto brenda apartamentit?
Nga çfarë dihet me tani, si shqiptari ashtu edhe 43-vjeçari që mbeti i plagosur ishin bashkë, në momentin e ngjarjes. Më pas dyshohet të ketë nisur një debat për çështje monetare. Dyshimet janë se lidhet me godinën e njohur në zonë. Zyrtarisht kjo godinë është e pabanuar prej 5 vitesh dhe në emër të një gruaje e cila nuk jeton më.
Në vendin e ngjarjes hetuesit gjetën armën e krimit dhe gëzhoja, ndërsa personi i tretë (Giovanni Pasqualino Di Benedetto, 27 vjeç) ishte larguar me motor menjëherë pas plagosjes së dyfishtë. Pritet që nga marrja në pyetje e 27-vjeçarit Benedetto, të mësohen më shumë të dhëna për ngjarjen në fjalë.