Sulmi me armë zjarri i ndodhur pasditen e ditës së djeshme në një qendër tregtare në Kopenhagen u ka marrë jetën 3 personave dhe ka plagosur 4 të tjerë.
Një person i armatosur ka vrarë dy 17-vjeçarë danezë dhe një shtetas rus 47-vjeçar. Ndërkohë 2 danezë dhe 2 suedezë ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën.
Për ngjarjen e rëndë është vënë në pranga një 22-vjeçar, i cili u arrestua disa minuta pas të shtënave në qendrën tregtare Field në Kopenhagen.
“I dyshuari kishte një pushkë dhe municion kur u arrestua”, tha policia.
Shefi i policisë Soeren Thomassen tha se nuk kishte asnjë tregues se të shtënat kishin ardhur si pasojë e një akti terrorist. Thomassen tha se autori i dyshuar i ngjarjes ka probleme të shëndetit mendor.
Një prej dëshmitareve okulare e quajtur Isabelle tha për BBC News mes panikut: Papritmas dëgjuam të shtëna. Pastaj vrapuam nëpër qendrën tregtare dhe përfunduam, në një tualet. Ka qenë një përvojë e tmerrshme.