Kryesore Të shtunën nis riatdhesimi, ministrja Balluku jep detajet

Të shtunën nis riatdhesimi, ministrja Balluku jep detajet

Duke nisur nga kjo fundjavë do të nisë riatdhesimi i të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar në Itali. Ministrja e Transportit, Belinda Balluku duke shpjeguar procedurat deklaroi se, emigrantët që do të kthehen do të qëndrojnë dy javë në karantinë. Ministrja theksoi se fluturimet e Air Albania do të nisin me Romën këtë fundjavë dhe do të shtrihet dhe në vende të tjera.

Për karantinimin e të kthyerve qeveria ka arritur marrëveshje me disa hotele në zonën e Durrësit. Aplikimet për personat që duan të kthehen do të nisin nga dita e enjte përmes sistemit online, tha znj. Balluku.

“Duke filluar nga dita e shtunë, datë 18 prill, “Air Albania” do të nisë fluturimet nga disa destinacione europiane, të cilat janë vlerësuar nga ne, si pikat kryesore për të kryer transportin e udhëtarëve shqiptare, të cilët duan të kthehen në atdhe.  Për të plotësuar kushtet e karantinimit ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka arritur një marrëveshje me disa struktura hotelerie, në zonën e Durrësit, të cilat kanë shprehur vullnet për t’u transformuar në struktura karantinimi COVID-19”, deklaroi znj. Balluku.

“E gjitha kjo paketë ku përfshihet transporti ajror dhe strukturat e hotelerisë, të vendosura në dispozicion të karantinimit, do të mund të rezervohet online me pagesa të arsyeshme, të cilat garantojnë shërbimin tuaj në kushtet e sigurisë sanitare dhe atyre shëndetësore. Për të kryer rezervimin e paketës së riatdhesimit tuaj, fillimisht duhet të aksesoni faqen e internetit AIRALBANIA.com.al dhe më pas rubrikën riatdhesime. Klikoni në linkun e hotelit, për të zgjedhur paketën që ju përshtatet dhe më pas konfirmoni formularin elektronik të kushteve të karantinimit. Ky formular do të firmoset nga ju fizikisht gjithashtu në momentin e lëshimit të bordin pass në sportelet e Air Albanias në aeroportet nga të cilët do të udhëtoni.”

Në momentin që personat e riatdhesuar do të mbërrijnë në Rinas, aty do t’i nënshtrohet një procesi të verifikimit të gjendjes së tyre shëndetësore dhe më pas do të transportohen në shoqërimin e policisë për në Durrës, ku do të qëndrojnë 14 ditë në karantinë.

“Fluturimet do të nisin me Romën, por edhe nga destinacione të tjera mund të përdoren për të udhëtuar nga Tirana drejt Italisë nga qytetarët italianë apo shqiptarë që kanë leje në vendin fqinj. Ju lutem respektoni kërkesat e vendosura nga Italia. Sistemi elektronik për rezervimet online do të jetë gati nga dita e enjte në orën 10:00. Për çdo paqartësi do të vendosim disa numra kontakti”, përfundoi znj. Balluku.