Një ditë pas aksidentit të mbrëmshëm në aksin rrugor Levan-Qarr, 37 krerët e bagëtive të imëta vijojnë të jenë të ngordhura në anë të rrugës.
Sipas përgjegjëses së shërbimit veterinar pranë Bashkisë Fier, Melaize Korçari, ato do të groposen gjatë ditës së sotme, në Pishporo.
Ndërkohë, pronari i tufës së dhenve, Fetah Murataj tregon se përveç krerëve të ngordhur, 10 të tjerë janë të lënduar duke i shkaktuar një dëm të madh ekonomik. I moshuari tregon se prej 25 vitesh mbarështon bagëti dhe kurrë më parë nuk i ka ndodhur asnjë problem.
“Ne me këto bagëti ushqehemi dhe me këto bagëti blejmë toka ku mbajmë këto bagëti që ushqehemi. Ne prej 25 vitesh nuk kemi pasur probleme. Kjo fatkeqësi erdhi nga një që kishte pirë raki dhe një tjetër bënte gara me shokun këtu, kjo është porta që futemi dhe këtu u shtypën dhentë”, thotë pronari i bagëtive të imëta.
Gjatë fjalës së tij, ai i bën thirrje shkaktarit/ëve të aksidentit t’i paguajnë dëmshpërblimin.
“Të bjerë lekët se dhentë nuk ngrihen më. Të gjitha i kisha të martikulluara, me NIPT e me të gjitha”, thotë ai.
Kujtojmë se në lidhje me aksidentin e mbrëmjes së djeshme, policia ka arrestuar drejtuesin e njërit prej mjeteve të përfshira në ngjarje pasi ka rezultuar se ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit.