Bota Të vaksinuarit në SHBA nuk do të mbajnë maska as në ambientet...

Të vaksinuarit në SHBA nuk do të mbajnë maska as në ambientet e mbyllura

Personat që janë vaksinuar plotësisht, do të mund të marrin frymë lirshëm në Shtetet e Bashkuara. Për ta, maska nuk do të jetë më e detyrueshme as jashtë e as në ambiente të mbyllura.

“Çdokush që është plotësisht i vaksinuar mund të marrë pjesë në aktivitete të zhvilluara jashtë ose ambiente të mbyllura, të vogla apo të mëdha pa mbajtur maskën apo distancimin social“. “Nëse je i vaksinuar mund të bësh gjërat që ke bërë para pandemisë”, thotë shefja e qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, Rochelle Walensky.

Megjithatë, ekspertët vijojnë të rekomandojnë mbajtjen e maskës në ambientet shumë të populluara të tilla si autobusët, avionët dhe spitalet.

Menjëherë pas vendimit, Joe Biden bëri daljen e tij të parë publike, pa maskë, dhe e cilësoi këtë si një ditë të madhe për Amerikën. “Mendoj se është një arritje historike, një ditë e madhe. U bë e mundur falë suksesit të jashtëzakonshëm që kemi shënuar në vaksinimin e kaq shumë amerikaneve”.

Administrata Biden është përballur me presion të vazhdueshëm për të lehtësuar kufizimet për personat e vaksinuar me të dyja dozat. Vendimi vjen, pas autorizimit të vaksinës së Pfizer për personat nga 12 deri në 15 vjeç. 35 për qind e amerikanëve janë të imunizuar plotësisht, me infektimet dhe vdekjet që kanë rënë në pikën më të ulët që prej prillit të kaluar.