Nga Leonard Karaj
Mos prisni më “timon më vehte”. As kazan, tepsi apo ndonjë mrekulli pranverore nga opozita aktuale. Jo. Folklorizma të tilla zor se do të shihen në zgjedhjet e radhës. Kjo pasi, analizat, hamendësimet, sondazhet të bëjnë qartazi të besosh se ka thuajse zero shanse që PS-ja nga njëra anë dhe PD-ja në tjetrën, të mund të fitojnë të vetme në përballjen e prillit 2021. Që të dyja këto forca politike nuk shihen si favorite absolute, aq sa të mund të marrin 71 mandate për të qeverisur sipas orekseve që kanë. Socialistët në pushtet vuajnë keqqeverisjen për rekord, ndërsa demokratët besueshmërinë e cunguar në elektorat.
Tukrruje tejet të dukshme dhe rilevante pritet të ketë edhe LSI, partia e tretë në vend, votuesi i së cilës gjatë këtyre viteve më shumë sesa idealist ka qenë pragmatis, i prirur më së shumti drejt interesit momental. Madje, nuk do ishte aspak e çuditshme që kjo forcë politike të zbriste në numrat e 2009-ës, ku vërtet vendosi mbi qeverisjen por me vehte nuk bënte dot asnjë grup parlamentar (një grup parlamentar duhet të ketë 7 deputetë, teksa askohohe LSI mori vetëm 4). Në këto kushte terren të favorshëm fitojnë të ashtuquajturat “parti të vogla”, por që me pak zgjuarsi mund edhe të rriten dukshëm, aq sa të bëhen mjaftueshëm… “të mëdha”.
Nëse hedhim një vështrim të shkurtër retrospektiv vërejmë se në 2013-ën PS dhe PD morën secila nga 7 deputetë më shumë (pra 7 PD dhe 7 PS-ja), falë partive të vogla. Në referencë të kodit elektoral të atyre zgjedhjeve, votat e partive të vogla në rang qarku që nuk kalonin pragun elektoral, i bashkangjiteshin partive të mëdha të koalicionit. Kështu për shembull Partia Aleanca Popullore (AP) mori 8927 vota në gjithë vendin, por nuk pati asnjë deputet në kuvend. Ashtu sikundër edhe Aleanca Arbnore Kombëtare, me 3575 vota, ose Partia Demokracia Sociale, me 11891 vota. Për të vijuar me dy partitë e emrigracionit: Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve dhe Partia Emigracioni Shqiptar, të cilat morën secila respektivisht 2275 vota dhe 2325 vota, por asnjëra nuk pati deputet në kuvend. Apo Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK), e cila mori 5429 vota teksa simotra e saj, Lëvizja e Legalitetit, me 6089 vota, por sërish Dash Shehi hyri në kuvend nga lista e PD-së dhe jo si rezultat i votave si parti. Për të vijuar më tej me Aleancën Kuq e Zi e cila mori 10196 vota dhe Fryma e Re Demokratike, me plot 29310 vota në gjithë vendin, por sërish pa asnjë deputet në kuvend.
Kjo e gjitha për shkak të inateve personale të drejtuesve që më pas çuan në defragmentizimit të votës së tyre. Pra në pak fjalë, askush nuk fitoi dhe “i vogli” mbeti i tillë… “i vogël”. Do të kishte mjaftuar që legalistët, ballistët, reformatorët, atdhetaristët, kristian-demokratët, të gjelbërit, etj, të kishin “ulur gjakrat” mes tyre dhe të ishin bërë bashkë, që PD dhe PS të merrnin më pak deputetë, ose më mirë aq sa u takonte realisht, dhe sigurisht “të vegjëlit” të ishin rritur mjaftueshëm që para 7 vitesh.
E njëjta histori pak a shumë u vërejt edhe në zgjedhjet e 2017-ës, ku duhet thënë se nuk pati as koalicione. LIBRA, e drejtuar asokohe nga Ben Blushi mori 19756 vota dhe zero deputetë. Ashtu sikundër FRD-ja me 5118 vota dhe SFIDA me 3534 vota. Të gjitha këto shkuan në favor të PS-së dhe PD-së, parti që “shumuan” secila respektivisht me nga 7 dhe 3 numrin e tyre të deputetëve në parlament dhe madje “pa derdhur” pikë djerse.
Thënë këtë, teorikisht, pësimet duhet të përkthehen në mësime, ndaj nëse duan të mbijetojnë, atëherë nevojitet që partitë e vogla të kenë një qasje totalisht tjetër për në zgjedhjet e 2021-it. Madje, duke parë edhe ndryshimet në kodin e ri zgjedhor, të përgatitura enkas nga “ustallarët e PS-së” për të pasur më shumë mundësi teorike të një mandati të tretë, “të vegjëlit” duhet me patjetër që të bëhen bashkë. Listat e hapura nuk lejojnë vërtet koalicione partish (të paktën praktikisht, pasi teorikisht edhe mund të realizohen), me secila nga një listë më vehte, por sigurisht që lejojnë grupime partish nën një listë të vetme. Në këto kushte, nëse për shembull Partia Agrare Ambientaliste ndihet tejet e fortë elektoratikisht në qarkun e Durrësit, atëherë “të vegjlit” e tjerë për të shumuar votat e tyre do ishte më e zgjuar nëse do të përkrahnin kandidatët e kësaj force politike në atë qark. Kësisoj votat nuk do të rridhnin kot, ose nuk do të shkonin në “kazanin elektoral” të PS-së apo PD-së.
I njëjti arsyetim edhe për shembull për PDIU. Nëse kjo forcë politike ndihet e avantazhuar në qarkun e Fierit apo Vlorës, atëherë forcat e tjera, të ashtuquajtura “të vogla”, do duhet të mbështesnin kandidatët çamë. Pra, me një listë prej 140 deputetësh në mbarë vendin të dakordësuar mes tyre (të gjitha partitë e vogla të grupuara në një grupim të madh politik), apo edhe me lista veçmas të secilës parti, por me një dakordësim mes vedit, sipas mbështetjes politike, ku partitë të mbështesnin atë forcë politike që ka më shumë avantazhe në një qark të caktuar, është e vetmja mundësi reale dhe lëvizja më e zgjuar që “të vegjlit” të bëhen “të mëdhenj”. Kësisoj nuk do kishim më shumë se 200 mijë vota si në 2013 apo rreth 120 mijë në 2017 që merreshin nga partitë e vogla dhe shkonin në hambarin e PS-PD. Ndaj, të paktën këtë herë këto forca politike, nëse veprojnë me pragmatizëm, do të mund “tu tregonin” dhëmbët partive tradicionale dhe sigurisht të vendosnin veton në balancat qeverisëse pas zgjedhjeve të 2021-it. Në të kundërt, nuk është aspak çudi që nga 113 parti të regjistruara deri tani në KQZ apo me vendim gjykate, pas 2021-it të mos kishim më shumë sesa 5 të tilla.